Do garojë për deputete, Fahrije Hoti: Po e bëj këtë për familjet që kërkojnë drejtësi, jo premtime

Do garojë për deputete, Fahrije Hoti: Po e bëj këtë për familjet që kërkojnë drejtësi, jo premtime

Fahrije Hoti do të kandidojë për deputete në zgjedhjet e 7 qershorit, përkrah Vjosa Osmanit.

Lidhur me këtë, Hoti tha se po e bën këtë “për gruan që ngrihet, për të riun që do të ndërtojë jetën e tij në Kosovë dhe për familjet që kërkojnë drejtësi, jo premtime”.

Ajo tha se politika për të “nuk është karrierë, është punë, si puna që kam bërë gjithë jetën”.

“Ju falënderoj që më besoni. Nuk do t’ju zhgënjej!”, tha Hoti në një postim.

Shkrimi i plotë i Fahrije Hotit:

Sot nis një rrugëtim të ri, krah për krah me Presidenten, Vjosa Osmani.

Vij nga Krusha. Vij nga një kohë kur gratë e fshatit tim humbën gjithçka, përveç njëra-tjetrës. Ngritëm duart, ngritëm tokën, ngritëm shtëpitë. Mësova atje se asnjë grua nuk është e vetme kur një tjetër i qëndron pranë.

Po e bëj këtë për gruan që ngrihet. Për fermerin që e di vlerën e çdo kokrre. Për të riun që do të ndërtojë jetën e tij në Kosovë. Për familjet që kërkojnë drejtësi, jo premtime.

Politika për mua nuk është karrierë, është punë, si puna që kam bërë gjithë jetën.

Ju falënderoj që më besoni. Nuk do t’ju zhgënjej!

E juaja,

Fahrija

Related Articles