“Dialogu nuk po ecën”, ishte deklarata e Përfaqësuesit të lartë i BE-së, Josep Borrell, e cila shpërfaqi haptazi se Bashkimi Evropian i ka duart e lidhura në ndërmjetësimin e dialogut Kosovë – Serbi, shkruan Gazeta “Enigma”.
Përpos palës serbe, përfaqësues të subjekteve opozitare në vend, fajin po e hedhin edhe tek pala kosovare, që sipas tyre s’e ka prioritet zhvillimin e dialogut.
“Nuk po ecën. Unë jam i ngarkuar me këtë dialog dhe nuk po ecën. Të paktën nuk po ecën me ritmin që duhet të ecte. Bashkimi Evropian ka një mandat nga Kombet e Bashkuara për të koordinuar, shtyrë dhe aktivizuar këtë dialog. Unë kam caktuar një nga diplomatët më të mirë për këtë detyrë, dhe duhet të them që duhet bërë më shumë, duhet më shumë punë. Duhet të shtyjmë të dyja palët me qëllim që të kuptojnë se ka vetëm një zgjidhje për problemin dhe se ajo vjen përmes dialogut, duke e ditur ama që nuk do të jetë e lehtë”, tha Borrell të mërkurën.
Ndonëse është shprehur i zhgënjyer me zhvillimin e dialogut, Borrelll ka thënë se bisedimet janë e vetmja fortë drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve. “Por e vetmja zgjidhje e këtij problemi është dialogu, dhe unë këtë po nxis, por jam i zhgënjyer që nuk po ecim me ritmin që kërkon problemi, sepse perspektiva evropiane e të dy vendeve po mbizotërohet plotësisht nga rezultati i këtij dialogu”, theksoi tutje ai në një intervistë për DW.
Pesimizmi i Kurtit për dialogun – a e vështirëson lufta në Ukrainë situatën?
Pesimist se dialogu mund të zhbllokohet ditëve në vijim, është shprehur kryeministri Albin Kurti, që njëkohësisht udhëheq delegacionin kosovar në bisedime.
”Besoj se situata është më e vështirë se dikur. Varet se kur na vije ftesa nga Brukseli por pas invazionit rus në Ukrainë ndërkohë që ne vendosem sanksione dhe shprehem gatishmërinë për pranimin e 20 gazetarëve dhe 5 mijë refugjatëve, ndërsa Serbia doli karshi Federatës Ruse takimet janë në një situatë tejet më të vështirë sesa në vitin e kaluar”, tha Kurti në një konferencë të martën.
Tutje ai shtoi se “Në këtë situatë ku ata nuk po e kanë kurajo të distanconen nga federata ruse dhe tu bashkohen sanksioneve edhe takimet tona janë vështirësuar shumë”.
Zgjedhjet në Serbi apo mos guximi i palës kosovare, çka po e pengon dialogun sipas Mustafës
Ish kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa në një intervistë për Gazetën “Enigma”, ka thënë se dy faktor po e pengojnë zhvillimin e dialogut. Ai ka renditur si arsye të parë mbajtjen e zgjedhjeve në Serbi, kurse faktor tjetër e ka përmendur edhe mos gatishmërinë e liderëve kosovar për ta quar para këtë çështje.
“Serbia është në prag të zgjedhjeve dhe nuk i përgjigjet të dialogojë tani. Kosova një vit i ka ikur dialogut; sikurse Presidentja ashtu edhe Kryeministri janë marrë me histori të dialogut por s’kanë treguar guxim, dije e gatishmëri për të marrë përgjegjësi për ta quar dialogun përpara”, ka thënë Mustafa.
Ndërkohë situatën në Ukrainë ai s’e ndërlidh me dialogun Kosovë – Serbi.
“Ukraina nuk ndërlidhet me vullnetin për dialog të asnjërës palë. Ajo është shembulli i keq se çfarë ndodhë ndërmjet vendeve nëse mungon vullneti për dialog. Ose nëse dialogu imponohet ndërmjet tytave të armëve. Kosova duhet ta vazhdojë dhe ta përmbyllë dialogun në një kohë kur kemi qëndrim të qartë të SHBA-së”, theksoi Mustafa.
“Serbia e Kosova në një thesë” – Qasja jo korrekte e BE-së në raport me Kosovën
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka fajësuar Serbinë për bllokimin e dialogut, teksa ka hedhur akuza edhe drejt BE-së, organ ky që sipas tij nuk e trajton Kosovën si palë të barabartë në tavolinë.
“Nga Komisioni Evropian, institucionet dhe lidershipi i BE-së, kanë pasur një qasje jo të përshtatshme politike dhe një trajtim jo të duhur ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj.Sado që BE-ja si facilituese e dialogut synon të jetë sa më neutrale dhe simetrike, nuk është fer dhe as korrekt, që Kosova dhe Serbia “të futen në një thes” në lidhje me qasjen në dialog”, ka deklaruar Lekaj për Gazetën “Enigma”.
Sipas tij “Faji është tek Serbia, e mbi të gjitha historikisht ajo ishte sunduesi, kërcënuesi dhe autori i luftës dhe krimeve në Kosovë. Pra Serbia ka detyrime dhe obligime përballë Kosovës dhe jo anasjelltas. Kosova është e gatshme ti bashkohet BE-së duke u bazuar dhe zotuar në Kushtetutën e Kosovës të vitit 2008”.
Sipas tij orientimi i Kosovës drejt Evropës mbetet i pa luhatur, andaj Kosova sipas tij nuk përbën problem në vazhdimin e dialogut. “Sa i përket drejtimit të Kosovës, e them me përgjegjësi se nuk ka pothuajse asnjë vend në Evropë, madje as në vendet anëtare, ku besimi dhe përkrahja për të ardhmen evropiane nga lidershipi politik dhe publiku, të jetë një konstantë e paluhatur në nivelet më të larta se në Kosovë”, ka theksuar ai.
Madje Lekaj ka thënë se “Për shkak të luftës në Ukrainë, BE duke u ruajtur nga gabimet dhe përshkallëzimet e kësaj lufte në Ballkan mund të prolongoj procesin, por mendoj që është gabim, sepse kjo luftë ndoshta do të ishte momenti kyç që BE të hapë rrugën për Kosovën duke e ditur rëndësinë e Ballkanit të sigurt”.
Dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e BE-së, ka nisur më 2011.
Në kuadër të dialogut, që nga viti 2011 deri në vitin 2020 janë arritur gjithsej 35 marrëveshje.
Asociacioni i Komunave Serbe vazhdon të jetë pika ndarëse midis dy palëve. / Gazeta Enigma.