Drejtori i shkollës ekonomike në Gjilan, Kqiku: Mësuesit, janë gur themeli me të cilin kanë nisur hapat e shtetësisë tonë

<strong>Drejtori i shkollës ekonomike në Gjilan, Kqiku: Mësuesit, janë gur themeli me të cilin kanë nisur hapat e shtetësisë tonë</strong>

Me rastin e festës së mësuesit, 7 marsin, Drejtori i Shkollës Ekonomike “Marin Barleti” në Gjilan, Fadil Kqiku, në një intervistë për Gazetën “Enigma” ka folur për rrugëtimin e tij prej 17 viteve, në edukimin e gjeneratave që përshkuan rrugën në këtë shkollë.

Që nga viti 2007 ai ka qenë mësimdhënës i lëndëve ekonomike për 12 vite, pastaj nga viti 2019 ka nisur karrierën e re, si drejtor i shkollës.

Kqiku në një rrëfim për Gazetën “Enigma” thotë se pjesa më e bukur e këtij rrugëtimi është edukimi dhe arsimimi i gjeneratave të reja, si dhe përgatitja e nxënësve për tregun e “ashpër” të punës.

“Pjesa më e bukur e këtij profesioni është qëllimi që kemi para vetës për të arritur një vizion të qartë dhe një mision të caktuar, e që kryefjala e tij është edukimi dhe arsimimi i gjeneratave të reja, përfitimi i shkathtësive për jetë dhe punë, si dhe përgatitja e nxënësve për tregun e “ashpër” të punës”, potencon Kqiku.

Ai kujton se 7 marsi në fillimet e tij të këtij rrugëtimi festohej me programe më të pasura së bashku me nxënës dhe mësimdhënës.

Tutje Kqiku ka theksuar se “mësuesit, janë gurthemeli me të cilin kanë nisur hapat e shtetësisë tonë, dhe si të tillë ata duhet të gëzojnë respekt maksimal nga e gjithë shoqëria”.

Intervista e plotë:

Gazeta “Enigma”: Kur keni nisur karrierën si drejtor i shkollës Marin Barleti?

Fadil Kqiku:  Pas 12 viteve si mësimdhënës i lëndëve ekonomike, nga viti 2019 jam zgjedhur drejtor i SHE ” Marin Barleti” në Gjilan.

Gazeta “Enigma”: Sa staf keni si shkollë, dhe sa nxënës?

Fadil Kqiku: Kemi mbi 520 nxënës të rregullt dhe rreth 18 nxënës të arsimit për të rritur.

Në kolektivin e shkollës janë të angazhuar rreth 60 mësimdhënës të profesioneve të ndryshme, ku pjesa më e madhe është nga profesioni i ekonomistëve dhe juristëve, kurse pjesën tjetër e përbëjnë profesor nga profesionet e përgjithshme.

Vlen të theksohet se shkolla jonë ka një strukturë të lartë kualifikuese ( 3 doktorë të nga shkenca ekonomike, një të juridikut dhe dy nga edukatë fizike).

Gazeta “Enigma”: Cila është pjesa më e bukur dhe më e vështirë e ushtrimit të këtij profesioni?

Fadil Kqiku: Për ushtrimin e detyrës të menaxherit të një shkolle nuk është një sfidë e lehtë sepse ballafaqohesh me situata nga më të ndryshmet.

Por, pjesa më e bukur e këtij profesioni është qëllimi që kemi para vetës për të arritur një vizion të qartë dhe një mision të caktuar, e që kryefjala e tij është edukimi dhe arsimimi i gjeneratave të reja, përfitimi i shkathtësive për jetë dhe punë, si dhe përgatitja e nxënësve për tregun e “ashpër” të punës.

Po ashtu, puna e drejtorit ka sfidat e saj. Nuk është një profesion i lehtë. Është një punë me përgjegjësi të lartë, Drejtori duhet të jetë i gjithanshëm, për çdo gjë që lidhet me nxënësit, mësuesit dhe prindërit. Ata janë vendimmarrësit kryesor të shkollës. Por gjitha këto tejkohen, sepse nëse puna bëhet me vullnet gjithçka është e arritshme.

Gazeta “Enigma”: Çfarë ndjenje është të punosh me nxënës dhe të jesh baza e zhvillimit të tyre? A është e vështire?

Fadil Kqiku: Qëllimi i çdo menaxheri është që plani zhvillimor i shkollës të jetë me prioritet të lartë dhe puna me nxënës, mësimdhënës si dhe me komunitetin e prindërve ta jep atë ndjesinë e qëllimit të mirë dhe kjo i bënë vështirësitë që paraqiten gjatë rrugëtimit të jenë më të vogla.

Gazeta “Enigma”: Si e keni përjetuar 7 marsin e parë, a kujtoni ndonjë moment interesant?

Fadil Kqiku: Si zakonisht  7 Marsi është përcjellur me ndonjë program, ndonjë mirënjohje për stafin dhe nxënësit apo ndonjë festë e përbashkët e kolektivit.

Kujtoj se në të kaluarën ka pasur programe më të pasura me nxënës dhe mësimdhënës.

Gazeta “Enigma”: Çka nënkupton kjo festë për shkollën dhe a keni ndonjë aktivitet për festën e mësuesit?

Fadil Kqiku: Festa e 7 Marsit na kujton hapjen e parë të shkollës shqipe në Korçë në vitin 1887 nën drejtimin e Pandeli Sotirit, Petro Laurasit, Toma Avramit e të tjerëve.

Ne si shkollë në kuadër të programit, për nderë të 7 Marsit do të ndajmë mirënjohje për mësimdhënësit e dalluar.

Gazeta “Enigma”: Për fund një mesazh për mësimdhënësit në këtë ditë?

Fadil Kqiku: Mësuesit, janë gurthemeli me të cilin kanë nisur hapat e shtetësisë tonë, dhe si të tillë ata duhet të gëzojnë respekt maksimal nga e gjithë shoqëria.

Andaj, mësimdhënës të nderuar, brezat që vijnë do t’i ruajnë me nostalgji mësimet e këshillat që Ju i jepni nxënësve, dhe në çdo hap të jetës së tyre, Ju dhe puna juaj fisnike do të kujtohen dhe vlerësohen me respekt e nderim të thellë.

7 marsi është festë e arsimit, nxënësve, studentëve është festë e çdo familje.

Gëzuar festën e Mësuesit, gëzuar për gjithë udhërrëfyesit tanë!

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles