Policia e Kosovës ka disa ditë që po pranon fotografi nga qytetarët, ku shihet se ngasësit e automjeteve nuk respektojnë rregullat në komunikacion. Në bazë të këtyre fotografive ngasësit po gjobiten.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka njoftuar se sot ka pranuar një informatë (foto dhe video) të një drejtuesi të automjetit, pjesëmarrës në komunikacion, i cili ka kryer kundërvajtje, duke bërë tejkalim në vijë të plotë , në aksin rrugor, Gjilan-Prishtinë, në fshatin Llabjan.
“Njësia e Komunikacionit Rrugor nga Gjilani, menjëherë ka ndërmarr veprimet e nevojshme për identifikimin e kundërvajtësit, me ç’rast edhe i ka shqiptuar një gjobë, sipas ligjit mbi kundërvajtjet në komunikacion. Policia e Kosovës Drejtoria Rajonale e PK-së në Gjilan falënderon të gjithë ata që në mënyra të ndryshme kontribuojnë në preventimin e aksidenteve me informata kredibile dhe apelon vozitësit, pjesëmarrës në komunikacion , që të respektojnë rregullat dhe ligjin e komunikacionit , në mënyrë që të mos kemi aksidente”, thuhet në njoftim./Gazeta Enigma/