Kryetrajneri i SC Gjilanit, Klodian Duro ka folur në konferencë për media para takimit të nesërme ndaj Progres Niderkorn që zhvillohet në kuadër të ndeshjes kthyese të rrethit të parë në Ligën e Konferencës.
Duro ka thënë se skuadra e Progres Niderkorn është skuadër që duhet të respektuar pasi ka histori.
Ai ka thënë edhe përkundër që e respektojnë skuadrën nga Luksemburgu nuk ia kanë frikën.
Po ashtu Duro ka kërkuar edhe mbështetjen e tifozëve të Gjilanit për takimin e nesërme në stadiumin “Fadil Vokrri në Prishtinë.
“Luajmë sërish përballë një kundërshtari të rrespektuar për të cilin flet vet historia në garat evropiane. Sigurisht kemi për të bërë akoma pasi vetëm gjysma e punës është kryer. Është një kundërshtar që kërkon respekt, por nuk kemi frikë. Kemi disa futbollistë të cilët nuk do jenë të gatshëm për këtë sfidë, por ne do të hyjmë të bindur dhe të përqendruar. Kemi planin tonë dhe duke qenë të koncentruar nga ajo që kërkojmë, besoj se duke dhënë shpirtin dhe zemrën në fushë, do të kemi paraqitje dinjitoze. Kërkojmë mbështetjen e tifozëve, pasi që këto sfida duhet kaluar të gjithë së bashku dhe nesër presim tifozët tanë në shkallët e stadiumit”, ka deklaruar Klodian Duro.
Kujtojmë që SC Gjilani në ndeshjen e parë barazoi me rezultatin 2-2 me golat e mesfushorit Arbnor Ramadani.