Ministri për Çështje Evropiane të Çekisë, Martin Dvorak, gjatë konferencës me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, ka potencuar se rruga drejt anëtarësimit të Kosovës në BE shkon tok me dialogun me Serbinë.
“Një shprehje e miqësisë përfshin gjithashtu të qenit i hapur dhe i sinqertë. Integrimet e mëtutjeshme të Kosovës në BE janë të lidhura ngushtë me Beogradin dhe dialogun. Pyetja e mbylljes së lidhjes së fqinjësisë së mirë dhe procesit të integrimit evropian kanë të bëjnë me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar ai, pavarësisht që Bislimi gjatë konferencës ka thënë se këto të dyja sipas qëndrimit të Kosovës, duhet të ndahen.
Ai ka thënë se Kosova duhet të jetë konstruktive në dialogun me Serbinë dhe të shfaq pikëpamje pozitive.
“Kosova është duke e bërë më të mirën e saj, por mënyra më e mirë për të qenë më afër me BE-në është hapja e bisedimeve me Serbinë, pavarësisht që kjo është vështirë. Nga ana çeke besojmë se të gjithë anëtarët tanë në parlament do të votojnë për anëtarësimin e Kosovës”, ka deklaruar ministri çek.
Tutje ministri çek ka thënë se shteti të cilin e përfaqëson do të vazhdoj mbështetjen ndaj Kosovës.
“Më vjen mirë që qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë aq lehtësisht në shtetet e BE-së sikurse unë kam ardhur në Kosovë. Mbështetja e vazhdueshme e Çekisë në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës, janë disa nga to. Çekia ka qenë dhe vazhdon të jetë një mik i afërt i Kosovës”, ka deklaruar Dvorak.
Ndërkaq Bislimi ka folur edhe për kritikat që kanë ndaj Lajçakut, si përfaqësues i dialogut Kosovë – Serbi.
“Për aq kohë sa ne mendojmë që në proces diçka s’ka shkuar sipas dinamikave që ne kemi menduar se janë të rregullta, ne do të shprehemi publikisht për këtë. Nëse ka kritika ndaj qasjes së EA-së ose Lajçakut, kjo s’është kritikë ndaj Bashkimit Evropian. Ne mbrojmë interesat e Republikës së Kosovës, nuk jemi agjent të BE-së”, ka deklaruar Bislimi.
Ai ka folur edhe për raportin e Kosovës me marrëveshjen e Brukselit.
“Marrëveshja bazike ka 11 paragrafe dhe asnjëra nga to nuk i mbizotëron paragrafit tjetër. Aneksi implementues kërkon që secila prej tyre të zbatojnë në tërësi, me mirëbesim, pa shtyrje, pa parakushte. Në këtë kontekst hapi i parë në të cilën Kosova është duke punuar bashkë me BE-në. Është dizajnimi i planit të sekuencimit të zbatimit. Vetëm atëherë mund të themi kur në këtë sekuencim duhet të merremi me draft statusin”, ka thënë zëvendëskryeministri.
Tutje ai ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen e Republikës Çeke për mbështetjen ndaj Kosovës.