Dy persona kanë mbetur të lënduar nga armët e zjarrit në orët e mbrëmjes në Prishtinë, njoftoi Policia.
Rasti i parë është regjistruar rreth orës 19:30.
“Sot rreth orës 19:30, policia ka marrë informatën se me armë zjarri është plagosur një person, i cili është dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për Rajonin e Prishtinës.
U bë e ditur se aktualisht hetuesit policorë të stacionit Veriu në Prishtinë, në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë rast i cili është cilësuar si “vrasje në tentativë”.
Ndërkaq, rreth orës 22:40, ndodhi një tjetër rast ku ka pasur gjuajtje me armë zjarri. Rasti ndodhi në rrugën “Maliq Pashë Gjinovci” në Prishtinë.
Për këtë rast, deri më tani ka një person të dyshuar që është arrestuar.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
Hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore, dhe deri tani është arrestuar një person i dyshuar. / Gazeta Enigma.