Dzhaparova falënderon Kosovën për rreshtimin në anën e Ukrainës

Dzhaparova falënderon Kosovën për rreshtimin në anën e Ukrainës

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti ka zhvilluar sot një telefonatë me homologen e tij ukrainase, Emine Dzhaparova.

Nga kjo bisedë Ahmeti njoftoi Dzhaparova për rreshtimin e Republikës së Kosovës në përkrahje të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Ai përmendi sanksionet të cilat Kosova tashmë i ka vendosur dhe gatishmërinë për t’i shtuar ato në koordinim me ShBA-të, BE-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtare.

Gjithashtu, Ahmeti përmendi edhe ndihmën që Republika e Kosovës po e ofron në këtë situatë duke strehuar 20 gazetarë, duke larguar përkohësisht regjimin e vizave për qytetarët ukrainas dhe duke treguar gatishmëri për strehimin e 5000 refugjatëve.

Ndërsa, Dzhaparova falenderoi Republikën e Kosovës për mbështetjen dhe për rreshtimin e menjëhershëm në anën e Ukrainës.

Nga Ukraina, ajo e njoftoi Ahmetin për situatën e rëndë humanitare të shkaktuar nga agresioni ushtarak i Federatës Ruse dhe për rezistencën e fortë që po e bëjnë ukrainasit. Kriza humanitare e shkaktuar nga Federata Ruse, veçanërisht në qytete si Mariupol ku qytetarët po mbahen peng nga rrethimi rus, po thellohet çdo ditë e më shumë.

Ndër të tjera, Ahmeti përcjelli ngushëllimet e sinqerta të Qeverisë së Republikës së Kosovës për viktimat e agresionit rus dhe të dy u pajtuan që t’i vazhdojnë komunikimet e rregullta për bashkëpunim të mëtutjeshëm. /Gazeta Enigma/.

Related Articles