E vërteton Apeli: Anulohet vendimi i Qeverisë për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve

E vërteton Apeli: Anulohet vendimi i Qeverisë për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve

Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, lidhur me vendimin për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Sipas aktgjykimit të Apelit, është refuzuar si e pabazuar ankesa e Qeverisë së Republikës së Kosovës, teksa është aprovuar në tërësi kërkesëpadia e Shoqatës së Prokurorëve.

Sipas Gjykatës së Apelit nuk është kontestuese se vendimi i organit të paditur nuk është përmbajtjesor ashtu si parashihet me dispozitat e cituara si më lartë të LPPA-së.

“Sipas vlerësimit të kolegjit në asnjë dispozitë ligjore nuk përcaktohet se në cilën formë duhet të ngritën pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, mirëpo përcaktohet me ligj se të njëjtat pavarësisht arsyes së rritje nuk mund të zvogëlohen, ashtu siç edhe është arsyetuar në aktgjykimin e ankimuar, ndërsa sa i përket vendimit nr…. i datës …, me të cilin janë ngritur pagat, i njëjti vendim nuk mund të kundërshtohet e as të ankimohet nga shkaku se i njëjti është vendim përfundimtar në procedurë administrative i njëjti është ekzekutuara dhe i njëjti vendim asnjëherë nuk ka qenë e as nuk është objekt shqyrtimi në këtë procedurë gjyqësore, andaj gjykata e shkallës së parë me të drejtë nuk është marrë me pretendimin e të paditurës lidhur me këtë çështje”, thuhet ne vendimin e Apelit.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar se Aktgjykimi i ankimuar i gjykatës së shkallës së parë, është i qartë dhe i kuptueshëm, si dhe përmban arsye të mjaftueshme për faktet vendimtare të cilat i pranon edhe kolegji i kësaj gjykate.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative më 2 dhjetor 2022 kishte vendosur për pezullimin e vendimit të Qeverisë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Lidhur me vendimin e Qeverisë, kishte reaguar edhe shoqëria civile, duke e quajtur uljen e pagave në sistemin e drejtësisë, ndërhyrje në drejtësi dhe rritje të potencialit korruptiv.

Related Articles