Edhe sot do të vazhdojë shërbimi me ujë të pijes përmes cisternave në lagjet e Mitrovicës Veriore, raporton Gazeta “Enigma”.
Të shtunën komuna ka njoftuar se kjo formë po bëhet në mënyrë që të sigurohet furnizimi me ujë për banorët e këtyre zonave.
“Aktualisht, për shkak të problemeve të furnizimit me ujë në Mitrovicën veriore, autoritetet lokale kanë njoftuar se do të vazhdohet ofrimi i shërbimit për qytetarët me cisterna uji. Ky shërbim pritet të vazhdojë edhe gjatë 24 orëve të ardhshme, në mënyrë që të lehtësohet mungesa e ujit dhe të sigurohet furnizimi me ujë për banorët e zonave më të prekura”, thuhet në njoftimin e tyre.
Tutje në njoftim thuhet se, qytetarët, mund të telefonojnë në numrin 046-755-721 për t’u informuar mbi oraret dhe lokacionet ku do të vendosen këto cisterna.
Kujtojmë se reduktimet e ujit atje vijnë si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm që ndodhi në orët e vona të së premtes, në kanalin e Ibër-Lepencit. /Gazeta Enigma/