EKSKLUZIVE: Drejtori Partizanit flet për zgjedhjen e trajnerit serb, Sokoli dhe Zeqiri kujtojnë viktimat e luftës

EKSKLUZIVE: Drejtori Partizanit flet për zgjedhjen e trajnerit serb, Sokoli dhe Zeqiri kujtojnë viktimat e luftës


“Uragan” debatesh ka shkaktuar në Kosovë vendimi i një prej klubeve më të mëdha shqiptare, “FK Partizani”, i cili timonin e drejtimit të ekipit ja dha një trajneri serb, Aleksandar Veselinoviç, shkruan Gazeta Enigma.

Dhe jo vetëm kaq, por dy shtetas serb, Goran Lazareviç dhe Dragan Aniçiç do të asistojnë krye trajnerin në këtë detyrë të re, që vjen pas afro një viti pauzë nga ana e tij.

Kjo gjë u kritikua ashpër nga njohës të sportit në Kosovë, të cilët thonë se një vendim i tillë nga “Demat” është ‘i ngushtshëm’ dhe ‘i gabuar’.
Por klubi shqiptar thotë se ‘përzgjedhja ka qenë vetëm profesionale’, dhe nuk është analizuar thellë prejardhja e tij.

Në një deklarim ekzkluziv për Gazetën “Enigma”, Drejtori sportiv i “Partizanit”, Arbër Abilaliaj thotë se trajneri Veselonoviç, është zgjedhur për shkak të bagazhit të tij profesional.

“Nuk dua ti futem thellë kësaj teme, por dua të them se ne kemi bërë zgjedhje, ne jemi klub futbolli dhe ne bëjmë zgjedhje profesionale, nuk bëjmë zgjedhje politike dhe nuk do donim që asnjëherë që të bashkëngjisim këtë gjë, ose t’i jepnim një konotacion politik, e para. E dyta zgjedhja në bazë të profilit, në bazë të atyre që kemi pasur në tavolinë për të zgjedhur trajnerin, trajneri i zgjedhur ka qenë me CV-në më të pasur dhe më i përgatituri sa i përket profesinalizmit, dhe një trajner që do na ndihmonte sportivisht”, ka thënë ai për Gazetën Enigma.

Ai thotë se konotacioni që po i jepet këtij vendimi nuk i bënë mirë askujt.

“Sa i përket pjesës së prejardhjes, shtetësisë së tij, realisht nuk jemi fut shumë në detaje të thella, sepse zgjedhja ka qenë profesionale. Jemi klubi i vetëm shqiptar që kemi në përbërje minimalisht 6-7 lojtar nga Kosova, shqiptar të Kosovës, 3-4 nga Maqedonia dhe besoj se këto konotacione nuk do i bënin mirë askujt, mund ta ndjej që është dicka sensitive preardhja e tij, por përzgjedhja ka qenë vetëm profesionale”, ka potencuar Abilaliaj.

Politika s’e ka vendin në futboll, sipas drejtorit të “Partizanit”.

“Do donim ta mbanim larg pjesës së politikës futbollin. Besoj se nuk është rasti i parë në Shqipëri, kanë me qenë dhe 2-3 futbollist prej Serbisë. Në kampionat shqiptar kemi edhe trajner me prejardhje serbe, siç është trajneri i “Skenderbeut” që ka shumë vite që punon në Shqipëri. Pra, konotacioni politik nuk do doja të ekzistonte dhe po e përsëris që përzgjedhja ka qenë vetëm profesionale”, shtoi ai.

Ndërkohë njohësit e sportit në Kosovë besojnë se një vendim i tillë i “Partizanit” është në dëmë të raporteve sportive Kosovë-  Shqipëri.

Profesori dhe trajneri, Bylbyl Sokoli thotë se “Udhëheqësit e Partizanit e kanë përjetuar në lëkurën e vet ndeshjen Serbi-Shqipëri në Beograd dhe për këtë me habit fakti se si erdhën deri tek ky vendim”.

Ai e ka quajtur të ngutshëm dhe jo të duhur këtë veprim.

“Unë po mendoj që vendimi për marrjen e një trajneri serb ka hasur në reagimin e pjesës dërmuese të sportdashësve shqiptar kudo, dhe vendimi i tyre unë mendoj që është paksa i ngutshëm sepse raportet në mes të futbollit shqiptar dhe serb ende nuk janë të relaksuara dhe pa një kërkim falje nga ana e Serbisë, pa u pranuar Kosova, çdo bashkëpunim është i ngutshëm dhe i hershëm”, ka theksuar ai.

Kurse, analisti sportiv Arben Zeqiri, konsideron se vënia e një trajneri serb në krye të një klubi shqiptar është fyerje për viktimat e luftës dhe krimet e bëra nga Serbia në Kosovë.

“Në dëm të kosovarëve shkon ky vendim dhe mos konsideratës në raport me gjithë popullin e Kosovës, me gjithë viktimat e luftës së Kosovës, mbi 5 mijë gra të dhunuara, mbi 2500 fëmijë të vrarë, dhe shkel mbi gjitha krimet që Serbia i ka bërë. Ata tentojnë ta shërojnë kompleksin e të qenit evropian në raport me neve, sepse ‘ata janë evropian’, derisa ne jemi provincial për ta”, theksoi Zeqiri.

Ai madje tha se do duhej të bojkotoheshin vendimet e tij nga futbollistët e “Partizanit”. “A nuk patën trajnerë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e gjetiu ku ka shqiptar por mbetën serbët t’ua ngrisin nivelin e futbollit… Turp sa ska më…Po të isha unë futbollist i Partizanit nuk do të pranoja as të stërvitesha e as të luaja nën urdhrat e një trajneri, populli i të cilit nuk ka kërkuar falje për krimet e bëra ndaj nesh, dhe do të bojkotoja stërvitjet dhe aktivitetet e klubit nën udhëheqjen e tij”, tha ai.

Kujtojmë se trajneri serb, Aleksandar Veselinoviç, i cili është 54-vjeçar ka drejtuar së fundmi Al Dhafra në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Gjithashtu ai ka drejtuar edhe skuadra të tjera si Ponedelnik, Suduva, Vojvodina, Spartak Subotica, Çukariçki dhe Al Batin. Gjithashtu ai ka qenë trajner edhe i kombëtares së moshave të Serbisë. / GAZETA ENIGMA.

Related Articles