Tani e një muaj Kosova është duke u përballur me një fluks të madh të gripit sezonal, shkruan Gazeta “Enigma”.
Gripi sezonal po vlerësohet nga profesionistët shëndetësor si një infeksion akut viral. Sikurse gripet e tjera, edhe ky sipas ekspertëve bartet direkt nga një person i sëmurë tek tjetri përmes stërpikave gjatë kollitjes ose teshtitjes dhe ne mënyrë indirekte me prekjen e objekteve të kontaminuara me virusin e gripit sezonal.
Infektologun Xhevat Demiri, për Gazetën “Emigma” ka deklaruar se mosha më e prekur nga ky grip janë fëmijët.
“Kohëve të fundit kemi një fluks më të madh të gripit sezonal, që po i prek dy gjinitë, por më së shumti fëmijët parashkollor dhe shkollor”, tha Demiri.
Tutje ai ka treguar simptomat me të cilat po manifestohet gripi sezonal.
“Temperatura, kollitja, plogështia, dhembje e fytit, humbja e oreksit dhe vështirësim në frymëmarrje”, janë vetëm disa nga simptomat sipas tij.
Demirit thotë se gripet e shpeshta këtë vit kanë ardhur si pasojë e ndërrimit të shpeshtë të klimës. Ai po ashtu ka ndërlidhur gripet sezonale me COVID-19.
“ࣿËshtë shumë e vërtet që edhe COVID-i ka lënë disa pasoja, sidomos tek moshat e shtyra, si kokëdhimbje, harresë, lodhje, marramendje edhe pagjumësi. Mendojmë se më shumë ka ndikuar dhe po ndikon klima, e cila po ndryshon çdo ditë”, tha Demiri për “Enigmën”.
Edhe Arbenita Hajdari drejtoresh në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gjilan ka theksuar se të rinjtë janë më të prekurit nga ky grip sezonal.
“Po ka raste me grip sezonal dhe kësaj here edhe të rinjtë preken me simptoma si ethe, temperaturë, dhimbje fyti, dhimbje e trupit, kokëdhimbje, plogështi. Këto simptoma janë më të theksuara te mosha mesatare dhe të rinjtë kësaj here”, tha Hajdari për Gazetën “Enigma”.
“Të hënën në urgjencën e Gjilanit 205 pacientë ishin prej orës 7:00-19:00, 50 për qind e tyre ishin të prekur nga gripi sezonal”, ka theksuar Hajdari.
Gazeta “Enigma” në lidhje me këtë çështje ka kontaktuar edhe me Petrit Locin, drejtor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Pejë, i cili ka konfirmuar se edhe në këtë qytet ka fluks të madh të të infektuarve me gripin sezonal, por që deri më tani gjithçka është nën kontroll.
“Është rritur numri i të prekurve me gripin sezonal, por gjithçka është duke u menaxhuar mirë si nga Qendrat e Mjekësive Familjare po ashtu edhe nga ambulancat në këtë komunë. Nuk ka diçka të jashtëzakonshme”, tha ai për “Enigmën”.
Loci ka theksuar se në Komunën e Pejës nga gripi sezonal janë të prekur të gjitha moshat pa dallim, duke përfshirë këtu edhe fëmijët.
Kujtojmë se personi i infektuar me virusin e gripit mund të infekton të tjerët, deri në 5 ditë pas lajmërimit të shenjave të gripit.
Simptomat e virusit zakonisht zgjasin rreth një javë. /GAZETA ENIGMA/