Gara e kandidatëve për ta udhëhequr Prishtinën – cilat janë sfidat e subjekteve Politike?

Gara e kandidatëve për ta udhëhequr Prishtinën – cilat janë sfidat e subjekteve Politike?

Garës për të parin e Prishtinës i kanë hyrë katër kandidatë që tashmë synojnë ta udhëheqin kryeqendrën kosovare, derisa më 17 tetor është përcaktuar nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve data e zgjedhjeve lokale në Kosovë, shkruan Gazeta Enigma.

Lidhja Demokratike synon ta rikthejë Prishtinën, me anë të arkitektit Përparim Rama, i cili tashmë është zytarizuar nga LDK-ja.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës, në anën tjetër i ka hyrë kësaj gare seriozisht duke tentuar që fitojë në Prishtinë me ish-ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosoës, do të provojë të fitojë me Daut Haradinajn, por edhe Aleanca Kosova e Re, me Selim Pacollin, i cili aktualisht është nënkryetar i komunës së Prishtinës, derisa Lëvizja Vetëvendosje nuk ka prezantuar ende kandidatin e saj, ndonëse është përfolur shumë se ai mund të jetë ministri aktual i Shëndetsisë, Arben Vitia.

Ndërkohë sipas analistit dhe ish- kryetarit të Komisionit Zgjedhor të Kosovës, Mazllum Bajraliu, “këto zgjedhje të sivjetshme kanë zgjuar interesim shumë të madh të subjekteve politike që në kohë apo edhe para kohe”.

Sipas tij, “subjektet politike po i kushtojnë rëndësi këtyre zgjedhjeve si duket edhe për shkak të fatit të zgjedhjeve të kaluara të përgjithshme, ku një numër i madh subjekteve që po e quajnë vetëvetën si tradicionale, kanë pësuar debakël dhe tani përpiqen ta rikuperojnë gjendjen e tyre me kandidatët sipas tyre më të shquar”.

“Përveç përjashtimeve të vogla të cilat Vetëvendosja siç duket nuk e konsideron si problem të madh që edhe më vonë ta shpallë kandidaturën”, tha Baraliu për “Gazetën Enigma”.

Baraliu ka shtuar se këto zgjedhje do të jenë sfidë për të gjitha të gjitha subjektet politike, “për arsye se kërkojnë që në nivelin lokal të paktën ato që kanë fituar në zgjedhjet e kaluara dhe nuk kanë fituar pak, PDK-ja e sidomos AAK-ja”.

“Atëherë kërkojnë dhe pretendojnë ta ruajnë pushtetin në ato komuna dhe ta shtojnë atë nivel që të mos kenë edhe një sfidë dhe debakël siç e kanë pasur në zgjedhjet e përgjithshme”, shtoi ai.

Kryetar aktual i Prishtinës është Shpend Ahmeti, i cili sa ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, kishte fituar dy herë garën për kreun e Prishtinës, duke e mposhut Isa Mustafën që synonte ta fitonte Prishtinën me “duar në xhepa” dhe Arban Abrashin, por këtë të fundit për pak vota.

Më 19 nëntor të vitit 2017, ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kandidati për postin e tij nga radhët e Lidhjes Demokratike, Arban Abrashi, ishin në balotazh, ku në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, që u mbajtën më 22 tetor, Ahmeti mori 43.6 për qind të votave, ndërsa Abrashi 35.8 për qind.

Ndryshe, për këto zgjedhje lokale KQZ-ja ka njoftuar se shpenzimet kapin shifrat e rreth 950 mijë eurove, duke njoftuar se me 16 shtator fillojnë fushatat zgjedhore.

Related Articles