Gjashtë deputetë përfitojnë pasaporta diplomatike

Gjashtë deputetë përfitojnë pasaporta diplomatike

Të qenit deputet në Kosovë është privilegj i madh. Ata përveç që i gëzojnë pagat bazë prej 1 mijë e 700 euro, ata gëzojnë edhe privilegje tjera si pagesat për akomodim jashtë vendit, faturat e telefoni, shpenzimet e naftës ata kanë privilegjin të pajisën edhe me pasaporta diplomatike.

Sipas raportit të Kuvendit të Kosovës, vitin e kaluar disa prej ligjvënësve janë pajisur me pasaporta diplomatike.

Pasaportë diplomatike, me të cilën udhëton më lehtë jashtë Kosovës, kanë përfituar tre deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, përfshirë Memli Krasniqin, deputetin dhe liderin e partisë. Me pasaporta diplomatike gjatë vitit të kaluar janë pajisur edhe Hajdar Beqa dhe Hisen Berisha.

Nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, pasaporta diplomatike ka përfituar Valon Ramadani. Dy deputetë të Listës Guxo, po ashtu janë pajisur me pasaporta diplomatike, shkruan Paparaci. Deputetët Haxhi Avdyli dhe Nasuf Bejta, ish-kundërkandidati i Vjosa Osmanit për president, do të udhëtojnë më lehtë në botë.

Gjithsej gjashtë deputetë janë pajisur me pasaporta diplomatike nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Me pasaporta diplomatike pajisen politikanët e vendit, duke nisur nga presidentja, kryeministri, kryeparlamentari, deputetët, ambasadorët e konsujt.

Përdorimi dhe pajisja me pasaporta diplomatike, rregullohet me Ligjin për dokumentet e Udhëtimit.

“Pasaporta diplomatike i lëshohet: Kryetarit të Republikës së Kosovës, Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryeministrit dhe anëtarëve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, kryetarit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Avokatit të Popullit, punëtorëve të përfaqësive diplomatike dhe konsullore, si dhe misioneve të Republikës së Kosovës jashtë shtetit, që kanë emërimet diplomatike, shërbimeve konsullore, si dhe punëtorëve të ministrisë për punët e jashtme, që kryejnë punët diplomatike dhe konsullore dhe kanë emërimet diplomatike, prijësit të delegacioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, personave që me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës shkojnë për punë në organizatat ndërkombëtare si funksionarë të rangut diplomatik në organizatat e përmendura, korrierëve diplomatikë dhe personave të tjerë të caktuar, nëse kjo është në interes të Republikës së Kosovës”, thuhet në Nenin 10 të Ligjit për dokumentet e Udhtëtimit.

Related Articles