Dy ekipet nga Superliga e Kosovës, Gjilani dhe Dukagjini do të luajnë ndeshjet kthyese në kuadër të raundit të parë kualifikues në Ligën e Konferencës.
Pas ndeshjeve të para të zhvilluara javën e kaluar, ekipet nga Kosova do të luajnë sot ndeshjet kthyese duke kërkuar kalimin në raundin e dytë të garës së tretë për nga rëndësia në Evropë.
I pari ndeshjen do ta luajë Dukagjini i Klinës, i cili do të ndeshet me FC Europa të Gjibraltarit, ndaj të cilëve fitoi 2-1 në “Fadil Vokrri” të Prishtinës.
Ndeshja e sotme është paraparë të zhvillohet në “Victoria Stadium” të Gjibraltarit me fillim nga ora 17:00.
Në anën tjetër, Gjilani është nikoqir i FC Progres Niederkorn në ndeshjen që pritet të zhvillohet nga ora 20:00 në stadiumin Fadil Vokrri në kryeqytet.
Gjilani do të kërkoj fitoren dhe kalimin tutje pasi barazuan 2-2 në “Stade Municipal de la Ville de Differdange” në Luksemburg.