Goli i fitores ndaj Europas, moment i rëndësishëm në karrierën unike të Iljasa Zulfiut

Goli i fitores ndaj Europas, moment i rëndësishëm në karrierën unike të Iljasa Zulfiut

ljasa Zulfiu u kujdes që Dukagjini të debutojë me fitore në skenën evropiane. Sulmuesi i krahut të enjten shënoi gol në minutën e 96-të, për fitoren 2:1 të Dukagjinit të Klinës ndaj Europas së Gjibraltarit. Ishte ndeshja e parë e raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës dhe u zhvillua në “Fadil Vokrri”.

Zulfiu goditi nga zona në kohën shtesë, ndërsa topi i devijuar nga një mbrojtës përfundoi në rrjetë. Pasoi festa e madhe e skuadrës nga Klina, që me paraqitje në Evropë po shkel në territor të ri.

Për Zulfiun goli i fitores ndaj Europas ishte moment i ri në karrierën unike. Ai është i vetmi futbollist që ka luajtur në Superligën e Kosovës, në Superligën e Shqipërisë dhe të Serbisë.

Karriera e Zulfiut është e veçantë. 25-vjeçari është i lindur në Miratoc të Preshevës. Ka nisur futbollin në skuadrën e Luginës e më pas u transferua te skuadra serbe, Radnik Surdulica. Radniku e huazoi në dy skuadra të tjera, ndërsa më pas ka luajtur për Flamurtarin e Prishtinës, Malishevën, Laçin në Superligën e Shqipërisë dhe për Dukagjinin që nga vera e kaluar. Te Dukagjini i Klinës është prej lojtarëve më të rëndësishëm.

Image

“Pa dyshim është një ndër golat më të rëndësishëm në karrierë. Është i rëndësishëm si për mua ashtu edhe për klubin sepse kemi epërsi minimale për ndeshjen e kthimit”, ka thënë Iljasa Zulfiu të dielën për Kohen.

Të enjten Dukagjini e luan ndeshjen e kthimit ndaj Europas, në Gjibraltar.

Zulfiu ka thënë se në çdo ndeshje ka besim tek ekipi dhe tek aftësitë e tij. Ka pranuar se të enjten fati e ndihmoi që ta vendoste sfidën. Ai erdhi pa shumë bujë te Dukagjini, por kishte paraqitje të mira gjatë edicionit të kaluar. Zulfiu thotë se është munduar ta shpërblejë besimin e trajnerit Armend Dallku.

Ai ka treguar se si erdhi deri te kalimi në ekipet në Serbi.

“Klubi Lugina është pjesë e rrethit të Pçinjes dhe garon në ligë të Serbisë. Pas një ndeshje që kishim me Çelikun, klubi Radnik Surdulica shprehi interesim për mua. Pas shumë konsultimeve që kishim, ramë dakord të dy palët që të isha pjesë e atij ekipi. Në fillim isha te U18 dhe isha një ndër golashënuesit më të mirë. Më pas kalova në ekipin e parë të Radnikut, ndërsa u huazova te skuadrat Pukovac dhe Ozren. Kisha paraqitje të mira dhe në fund fitova mundësinë të debutoj ndaj Cërvena Zvezdës. Për mua ishte një ndër momentet më të rëndësishme në karrierë. Si 19-vjeçar luajta ndeshjen debutuese, ndërsa pas 27 vjetësh isha shqiptari i parë në Superligë, pas Fadil Vokrrit”, ka treguar Zulfiu.

Debutimi i tij në kampionatin e Serbisë kishte bërë bujë në mediumet e këtij vendi. Kishin nisur menjëherë krahasimet me Fadil Vokrrin. Zulfiu thotë se krahasimet me Vokrrin e ndjerë e kanë bërë krenarë. Ai kishte debutuar në kampionatin e Serbisë më 29 nëntor të vitit 2017. Më nuk u grumbullua.

Zulfiu thotë se te Radniku bëri hapat e parë në futbollin profesional.

“Pasi më përfundoi kontrata dyvjeçare me Radnikun, mora oferta nga Superliga e Kosovës. Vlerësohet se Flamurtari i Prishtinës ishte klubi i duhur për mua. Më pas për rreth dy vjet isha te Malisheva në Ligën e Parë. Me punë dhe angazhimin e gjithë lojtarëve dhe trajnerit Senad Alirifa arritëm të bëhemi kampionë vjeshtorë. E falënderoj qytetin e Malishevës dhe tifozët ‘Tornado’ për përkrahjen e madhe gjatë asaj periudhe”, ka thënë Zulfiu.

Më pas sulmuesi i krahut luajti për Laçin në Superligën e Shqipërisë, ku punoi me Shpëtim Duron e Mirel Josën. Thotë se ishte nder puna me këta trajnerë. Prej verës së kaluar është te Dukagjini i Klinës.

“Besoj se do të tregoj edhe më shumë në futboll. Ambiciet janë të mëdha. Njëra prej ëndrrave të mia është të jem pjesë e Përfaqësueses së Kosovës. Pse jo edhe në ndonjë klub evropian. Si çdo futbollist edhe unë kam synimet e mia”, ka theksuar Zulfiu.

Një tjetër moment frymëzues i Zulfiut do të ishte i mirëseardhur për Dukagjinin më 20 korrik në “Victoria Stadium” në Gjibraltar. Dhe, po ashtu, do ta afronte futbollistin nga Lugina e Preshevës me synimet që i ka.

Related Articles