Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka publikuar një raport të ri që përqendrohet në situatën e përgjithshme në Kosovë, duke u fokusuar veçanërisht në tensionet në veriun e vendit.
Në raportin e tij, Guterres shpreh shqetësim për atmosferën e tensionuar dhe thekson se potenciali për përshkallëzim mbetet i pranishëm, raporton Gazeta Enigma.
Guterres u bën thirrje të gjitha palëve që të riafirmojnë angazhimin e tyre ndaj dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjet ekzistuese.
Ai kritikoi veprimet e njëanshme, siç janë mbyllja e institucioneve të financuara nga Serbia dhe kufizimet ndaj mallrave serbe, duke theksuar se këto masa rrisin tensionet dhe dëmtojnë besimin midis komuniteteve.
“Veprime të tilla jo vetëm që dëmtojnë jetën e përditshme dhe të drejtat socio-ekonomike të të prekurve, por gjithashtu rrezikojnë stabilitetin kolektiv, i cili është thelbësor për një të ardhme paqësore dhe të begatë,” tha Guterres.
Në raport, ai kërkon pjesëmarrje më të madhe të grave në procesin e dialogut dhe udhëheqje të përgjegjshme që prioritet jep mirëqenies dhe të drejtave të njeriut të të gjithë njerëzve në Kosovë.
“Është e rëndësishme që veprimet e liderëve politikë të reflektojnë një përkushtim për të adresuar nevojat dhe të drejtat e të gjitha komuniteteve,” nënvizon ai.
Guterres përmend gjithashtu shqetësimet e komuniteteve joshumicë për veprimet që prekin institucionet arsimore dhe shëndetësore të drejtuara nga Serbia, duke kërkuar që këto shqetësime të adresohen në mënyrë të plotë.
“Mbrojtja e të drejtave ekonomike dhe sociale të komuniteteve joshumicë, përfshirë më të cenueshmit, është jetike,” thekson ai.
Raporti trajton gjithashtu incidentin e Banjskës të ndodhur më 24 shtator të vitit të kaluar, që Guterres e cilëson si një “incident të rëndë të sigurisë”.
Ai thekson nevojën urgjente për bashkëpunim në ndjekjen e drejtësisë dhe transparencë në trajtimin e incidenteve të tilla, për të rivendosur besimin dhe stabilitetin afatgjatë.
Për sa i përket fatit të të zhdukurve, Guterres e përshkruan progresin si të lavdërueshëm dhe thekson rëndësinë e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, e miratuar nga Prishtina dhe Beogradi më 2 maj.
Ai gjithashtu mirëpret regjistrimin zyrtar të pronës së Manastirit të Deçanit, në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016./GazetaEnigma/