Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari ka paralajmëruar vendosjen e reciprocitetit ndaj mallrave serbe , por se nuk ka dhënë një datë se kur mund të vendoset një masë e tillë.
Ajo tha se ka filluar me planin e saj sa i përket parimeve të OBT-së, jo vetëm për reciprocitet por edhe për gjithëpërfshirje dhe transparencë.
“Do të vendosim reciprocitet, do të vendosim e jemi duke i vendosur. Ligji për masat antidamping, për mbrojtje nga importet, të gjitha këto kanë të bëjnë me barazi e reciprocitet. Unë kam filluar me planin sa i përket parimeve të Organizatës së Tregtisë. Masat e komformitetit jemi duke i zbatuar. Ju njoftoj se çka është zbatuar nga ministria për mbrojtjen e tregut. Kemi marrë vendimet për masat antidamping për t’i mbrojtur sektorët që janë të rrezikuar nga importi dhe presim se si do të na udhëzojnë analizat që jemi duke i bërë. Ne jemi akuzuar nga ministrja e Ekonomisë së Serbisë për diskriminim, por jemi duke punuar për barazi”, ka thënë Hajdari.
Më tutje, Hajdari tha se do ta vendosin këtë masë sapo të jenë të gatshëm.
Ministrja theksoi se reciprociteti nuk do të jetë çështje ditësh por me efekt më të gjatë.
“Përveç bllokave dhe koncentratin e shpezëve, kemi marrë inicim për hetimet për sektorin e produkteve si biskotave etj. Unë nuk kam dëshirë të vij në konkluzion pa një analizë. Unë nuk marr asnjë vendim pa një analizë të gjerë. Ju vini me kërkesa kur, përgjigja ime është kur të jemi të gatshëm. Nuk do të jetë reciprocitet ditësh por do të jetë me një efekt prej pesë vitesh. Na duhen 60 ditë analizë, na duhet shqyrtim në teren. Nuk mund të vendosi vendime ad-hoc kur dua të marr një vendim të caktuar”, ka thënë ajo. /Gazeta Enigma.