Të hënën në Komunën e Leposaviqit, u hap pika e re e Postës së Kosovës, e katërta në këtë komunë, në objektin e rikthyer nën menaxhim e Postës së Kosovës.
Të pranishëm në këtë përurim zyrtar ishin kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, kryesuesi i Bordit të Postës së Kosovës, Gëzim Paci dhe kryeshefja e Postës së Kosovës, Nora Rraci.
Kurti deklaroi se hapja e zyrës së re në pronën e rikthyer, është bashkëdyzim i ligjshmërisë dhe cilësisë.
“Ata operatorët e pa licencuar që kanë funksionuar më herët janë mbyllur dhe tash e kemi Postën e Kosovës ku përveç dërgesave të zakonshme të postës mund të pranohen edhe mjete financiare në euro për qytetarët e Leposaviqit. Ky është një lajm i mirë edhe për banorët e komunës, por edhe për shërbimin postar publik të Republikës së Kosovës”, u shpreh Kurti.
Më tej, ai theksoi se dikur Posta e Kosovës ka operuar me humbje, kurse tash me kryeshefen e re, Nora Rracin, ajo operon me fitim, dhe përveç kësaj ka shtrirje territoriale gjithandej, anekënd komunave të Kosovës dhe përbrenda komunave, përfshirë edhe në zonat të cilat janë më larg qyteteve dhe qytezave.
“Posta e Kosovës nuk e shikon se ku ka fitim që të ketë zyre, por ka ku qytetarë që të ketë shërbim”, tha tutje Kurti.
Kryetari i Komunës, Lulzim Hetemi, falënderoi dhe përgëzoi qeverinë dhe postën për përurimin e sotëm dhe e ftoj këtë të fundit që të hapë edhe pika tjera në komunën që ai drejton.