Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkrahur takimin në mes të presidentit amerikan, Joe Biden dhe kancelares gjermane Angela Merkel, shkruan Gazeta Enigma.
Përmes një postimi në “Twitter”, Haradinaj ka thënë se është i bindur se liderët e botës së lirë do të përshpejtojnë arritjen e marrëveshjes për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
“Takimi midis Biden dhe Merkel është i mirëpritur dhe i nevojshëm për të adresuar të gjitha çështjet e hapura në Ballkan. Qëndroj i bindur se udhëheqësit e botës së lirë do të bien dakord për përshpejtimin e arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për njohjen reciproke”, ka shkruar ai.
Në ndërkohë sot pritet që të zhvillohet takimi në mes të presidentit amerikan Joe Biden dhe kancelares Angela Merkel në Shtëpinë e Bardhë.