Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ka marrë kërcënime pas deklaratave që ajo bëri për Faton Hajrizin, personin që u vra nga policia serbe në Serbi.
Haxhiu tha se është “shqetësues”, diskursi i shoqërisë rreth Faton Hajrizit, për të cilin tha se nuk mund të quhet hero një person që ka plagosur pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
“Për mua është shqetësues diskursi dhe vlerat që po tentohet t’i humbin si shoqëri. Nuk mund ta quajmë hero një person, i cili ka vepra të rënda, i cili ka plagosur pjesëtarë të Policisë së Kosovës, i cili është dënuar për vepra të rëndë kriminale”, tha Haxhiu para mediave.
“Dhe pas reagimit dhe qasjes që kam pasur në vazhdimësi natyrisht që kam pranuar kërcënime nga individë të ndryshëm. Vlerësimi i rrezikshmërisë do të bëhet së shpejti, por për të shmangur çfarëdo situate natyrisht që e kemi pa të rëndësishme që të ketë mbrojtje”, shtoi ajo.
Haxhiu gjithashtu tha se mund të konsiderohet riautopsia e trupit të Faton Hajrizit, pasi që “duhen më shumë informata”. /Gazeta Enigma