Në ditën Botërore të Shëndetësisë, Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka vizituar Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, për të parë nga afër punën që bëhet në këtë institucion shëndetësor.
Nga aty deputetët u kanë bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, pasi mbi 800 mijë doza të vaksinës anti-COVID janë në stok në Kosovë.
Vizita është bërë në kuadër të Ditës Botërore të Shëndetësisë.
Ata, gjithashtu kanë vizituar edhe depon e vaksinave në IKShPK ku u pritën nga drejtori i IKShPK-së, Naser Ramadani, i cili falënderoi anëtarët e komisionit.
Ai tha se procesi i vaksinimit mund të shënohet si storie e suksesshme për Kosovën.
“Vaksinimin mund ta shënojmë sot në ditën botërore të shëndetit si storie tejet e suksesshme për popullatën e Kosovës, ku i kemi arritur objektivat tona dhe po vazhdojmë me të njëjtin intensitet të punojmë edhe më tutje pa u ndalur dhe ekipet pa pushuar fare në mënyrë që të realizojë të gjitha objektivat e mbikëqyrjes së përgjithshme të Covid-19 deri në përfundimin defenitiv”, tha ai.
“Unë falënderoj komisionin parlamentar sepse na kanë qëndruar pranë dhe na kanë mbështetur bashkë me ministrinë e qeverinë në këto ditë të vështira të punëtorëve shëndetësorë në të gjitha frontet të cilat pa ndërprerë kanë punuar dhe po punojnë, pa u ndalur dhe pa pushim në mënyrë që popullatës t’i sigurojnë shërbime dhe të ofrojnë shëndet për të gjithë qytetarët e republikës së Kosovës”, tha Ramadani.
Kryetarja e këtij Komisioni, Fatmire Kollçaku, ka kërkuar nga qytetarët që të vaksinohen pasi tha se ka një rënie të lehtë dhe ka mjaftueshëm vaksina.
“Duke i falënderuar drejtorin dhe gjithë stafin e IKPSHK dhe degëve rajonale për gjithë punën e bërë në këto dy e që jemi në vitin e tretë të pandemisë në nivel global dhe epidemisë në nivel vendi, fatmirësisht me një situatë shumë më të qetë epidemiologjike. Me një mesazh nga ky vend, është evidente që kemi rënie të kërkesës për vaksinim ndërsa vaksina ka mjaftueshëm siç e kuptuam sot dhe i ftojmë të gjithë qytetarët që nuk e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë që të vaksinohen”.
E deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka kërkuar nga institucionet që punëtorët shëndetësorë të kenë një përkushtim më të madh. Haxhiu ka kërkuar që investimi të bëhet në parandalimin e sëmundjeve pasi sipas tij shumica e buxhetit të shtetit po shkon vetëm kah trajtimi.“Dua të jap një falënderim të veçantë për të gjithë punëtorët shëndetësorë anekënd Kosovës të cilët tani e dy vite kanë qenë në krye të detyrës me një përkushtim maksimal.
Ftoj institucionet shtetërore që të kthejnë kokën kah punëtorët shëndetësorë dhe të mbështesin ata sepse mbrojtja e shëndetit pa profesionist të mirëfilltë shëndetësorë nuk mund të arrihet. Këtë na e kanë dëshmuar më së miri gjatë kësaj pandemie më së miri të gjithë profesionistët shëndetësorë”, tha Haxhiu.
“Ne si komision parlamentar për shëndetësi kemi ardhur të vizitojmë në ditën botërore të shëndetit por edhe për të quar edhe një mesazh tjetër që duhet të investohet më shumë në parandalimin e sëmundjeve sepse po thuajse shumica e buxhetit të shtetit po shkon vetëm kah trajtimi. Sot morëm informatën se ka më shumë se 800 mijë doza të vaksinës në stok bëj apel për të gjithë qytetarët që të vaksinohen”, tha Haxhiu. / Gazeta Enigma.