Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i është kundërpërgjigjur ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili dje tha se deficiti buxhetor zvogëlohet në rekord historik.
Murati u shpreh të martën se “financat publike janë kthyer në binarë dhe thesi i shqyer është qepur”.
“Jemi kujdesur që të mos shkaktojmë barrë të paqëndrueshme financiare e të mos rrisim borxhin publik, përkundër faktit që kishim pakot mbështetëse më voluminoze në rajon”, ka thënë shefi i kuletës kosovare.
E për këtë, deputeti i LDK-së theksoi se “të prezantohet si sukses suficiti buxhetor në kohën e krizës së inflacionit dhe krizës energjetike është naivitet”.
Sipas tij, “sikur të kishim rritje ekonomike 10%, ndoshta edhe do të kishte kuptim suficiti buxhetor”.
“Por, në situatën kur pagat nuk rriten dhe bllokohen miliona euro të investimeve kapitale, sigurisht se buxheti del në suficit”, shtoi ligjvënësi opozitar në një postim në Facebook.