Hyseni: Politika e jashtme me Kurtin e Osmanin është e dështuar

Hyseni: Politika e jashtme me Kurtin e Osmanin është e dështuar

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, ka thënë se statuti i Asociacionit duhet të bëhet nga ekspertët që si i tillë të mos ndërhyjë në asnjë nivel të qeverisjes në Kosovë.

Në një intervistë për EO, Hyseni tha se e sheh politikën e jashtme si të dështuar, ku fajtorë kryesor i bën presidenten Osmani, kryeministrin Kurti dhe ministren e Punëve të Jashtme, Gërvalla.

“Nuk e di a do të ngec, sidoqoftë ka ngecur tani për tani dhe kjo vjen kryesisht si rezultat kam frikë unë nuk do të doja të ishte ashtu si mendoj unë vjen si rezultat i një politike të jashtme që është krejtësisht anemike, krejtësisht fëmijërorë e të tria institucioneve kyçe të Kosovës që e bëjnë politikën e jashtme, presidentja, kryeministri dhe ministrja e jashtme. Për gjatë një viti unë nuk kam parë që ata të kenë bërë diçka tjetër përpos përpjekjeve shumë të habitshme, të pa shpjegueshme që Kosovën në botë ta paraqesin si vend të korrupsionin, të krimit dhe duke u përpjekur që Kosova të definohet si e tillë. Në kohën kur të gjithë e dimë besoj që nuk është ashtu”, u shpreh Hyseni

Hyseni thotë se marrëveshjet që nuk janë zbatuar nuk duhet të jenë pjesë e pakos së përgjithshme e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Teksa ka folur për përfshirjen e SHBA-së dhe kërkesën për themelimin e asociacionit, Hyseni e konsideron si këshillë dashamirëse.

“Asociacioni është pjesë e Kushtetutës, pra pako e Ahtisarit, mbi të cilën Kosova e ka shpallur Pavarësisë. Pra është çështje e hartimit të statutit dhe aty natyrisht do të kërkohet kreativitet nga institucionet e Kosovës, nga ekspertët që do të merren me atë punë në mënyrë të sigurohemi që Asociacioni nuk ndërhynë në asnjë mënyrë, në asnjë nivel të qeverisjes në Kosovë e sidomos duhet të sigurohemi që Asociacioni nuk duhet të përbëjë një rrafsh të tretë të Qeverisë. Dhe kjo besoj që është lehtë e arritshme”, ka thënë Hyseni.

“Në rrethanat kur Kosova do ta njoh Serbinë si shtet dhe Serbia do ta njoh Kosovën si shtet unë nuk e shoh aspak problematike dhe shqetësuese çështjen e Asociacionit prandaj unë nuk e quaj presion ndërkombëtarë. Më parë e quaj një këshillë dashamirëse nga partnerët kyç të Kosovës në rend të parë SHBA-ja po pse jo edhe BE dhe ne duhet të mësohemi përfundimisht që të mos e shqiptojmë këtë fjalën presion aq lehtë edhe aq pa e menduar. Sipas kësaj logjike del që ka qenë presion ndërkombëtar ndaj nesh edhe kur bota ka luftuar për ne, kur NATO ka bombarduar Serbinë. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm në artikulimin e qëndrimeve me botën sidomos me partnerët tanë”, ka thënë ai./ Gazeta Enigma.

Related Articles