“Qeveria e Kosovës dhe gjitha institucionet e vendit duhet t’i dalin në mbrojtje luftës për liri dhe përfaqësuesve të tyre sepse lufta e UÇK-së është luftë e popullit të Kosovës, është e drejtë edhe për atë është përkrah edhe nga Bashkësia ndërkombëtare”, ishte deklarimi i Ish komandantit të UÇK-së, në Zonën e Karadakut, Ahmet Isufi, kur u pyet lidhur me reagimin e kryediplomates, Donika Gërvalla Shwarz, shkruan Gazeta “Enigma”.
Duke i komentuar deklaratat e Gërvallës për UÇK-në, ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, në një prononcim për Gazetën “Enigma” ka thënë se çdo reagim negativ i krerëve ekzekutiv mbi luftën e UÇK-së, është gabim.
“Kushdo që është shqiptar duhet të mbroj të drejtën për liri dhe konsideroj që gabim është çdo veprim ndryshe. Prandaj nuk duhet asnjë hezitim, përkundrazi çdo mbrojtje e përfaqësuesve të UÇK-së është mbrojtje për të kaluarën tonë të lavdishme, është për shtetin dhe popullin e Kosovës”, ka thënë ai për gazetën.
Ish komandanti i Nerodimës: Çdo deklaratë kundër UÇK-së, dëmton shtetin kosovar
I pyetur për deklarimet e Ministres Gërvalla, Shukri Buja, ish-komandant i UÇK-së, në Zonën Operative të Neredimes, për Gazetën “Enigma”, ka theksuar se cilido zyrtar që del kundër UÇK-së, nuk i kontribuon vendit.
“Çdo deklaratë kundër UÇK-së, është e dëmshme. Shteti e ka me ligj mbështetjen financiare ndaj atyre që ndodhen në Hagë. Ajo që do duhej të ndodhë në aspektin politik nga shteti, do duhej në punojnë në aspektin dokumentues më shumë. Besoj se do të konsolidohen më shumë kur mbrojtja të insistoj dhe të kryhet ky proces i cili sipas meje që nga fillimi është politik”, ka deklaruar ai.
Ndonëse sipas tij Gërvalla është sqaruar se deklarata e saj është nxjerrë nga konteksti, sërish sipas tij duhet të kihet parasysh se UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë dhe çlirimtare.
“Duhet ta kemi parasysh se UÇK ka bërë luftë çlirimtare, të drejtë dhe realisht nuk është konfirmuar në asnjë rast se ka pasur krime të organizuara nga UÇK”, ka shtuar ai.
Kurse, Sekretari i OVL UÇK-së, Faton Klinaku, i ka cilësuar deklarimet e Gërvallës si të dëmshme, dhe që e dëmtojnë imazhin e shtetit.
“Gërvallën edhe sot me pyet njejt deklarohet, ajo e luan rolin e prokurorit. Ajo e ka gabuar edhe adresën, sepse nuk mund te flas ashtu në një gazetë kur është në pushtet. Në njëfarë forme ajo nuk mund t’i bëjë asgjë UÇK-së, por po dëmton shtetin. Gërvalla duhet të dijë se kë po e përfaqëson”, ka thënë Klinaku.
Gërvalla mohon raportimet se e ka njollosur UÇK-në
Përndryshe në një intervistë dhënë gazetës zvicerane Neue Zürcher Zeitung, edicionin ndërkombëtar, kryediplomatja Donika Gërvalla, ishte cituar se po kërkon që vrasjet e pasluftës të hetohen, derisa në tekst thuhet se vrasjet ndodhën pas tërheqjes së trupave serbe dhe se “vrasjet u kryen kryesisht nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
“Viktimat ishin kundërshtarë serbë, romë dhe shqiptarë të UÇK-së. Disa ish-komandantë janë në paraburgim në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë”, vazhdon teksti i shkruar nga gazetari, Andreas Reich.
Ndërkohë pas raportimit të mediave për deklarimet e Gërvalles, ka reaguar sërish ajo në mbrëmjen e së mërkurës, duke mohuar raportimet e bëra. “Citati shpreh opinionin e gazetarit dhe jo timin”, kishte shkruar Gërvalla./Gazeta Enigma.