Ish-ministri i Financave Haki Shatri vlerëson se masat e fundit anti-COVID të propozuara nga ministrisë së Shëndetësisë do të ndikojnë dukshëm në ekonominë e vendit dhe se do të jenë me pasoja të mëdha edhe në punësim.
Tutje ai në një intervistë tha se puna e Qeverisë ka qenë jashtë çdo kriteri profesional dhe vetëm deklarata të ardhjes në pushtet.
“Bazuar në numrin e fundit të infektimeve duhet pasur edhe masa, por që këto masa e kanë efektin e vet negativ dhe kufizues në ekonomi, dhe do të ndikojnë në disa sektorë, dhe që do ketë pasoja në punësim, ekonomi dhe ecurinë tutje”, tha Shatri.
“Është vështirë me përcaktua dëmet që mund të jenë në ekonomi, edhe pse ajo normë që kanë deklaruar është jashtë çdo norme, me një normë të pabazuar dhe jashtë çdo kriteri profesional, me planifikuar një normë të rritjes 8% është vështirë me planifikuar ku nuk ka pasur përmasim të kushteve për zhvillim ekonomik. Njerëzit kanë ardhur në pushtet dhe mendojnë që me deklarata mundin me lëviz diçka e sidomos në ekonomi”, theksoi tutje ai.
Shatri thotë se masat e ndërmarra nga Qeveria dhe pako e ringjalljes ekonomike kanë qenë pa ndonjë plan dinamik dhe vetëm sa për t’i shëruar pasojat e pandemisë.
“Këto masa dhe sidomos plani i ringjalljes ekonomike nuk mund të garantojnë një zhvillim ekonomik të nevojshëm, këto masa janë vetëm mi shëruar pasojat e pandemisë, nëse implementohen si duhet tek ata që janë dëmtuar gjatë pandemisë. Duhet me pasë një plan dinamik dhe të punohet shumë në ringjallje ekonomike”, përfundoi Shatri.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë për media ka paralajmëruar se të mërkurën do t’i propozohen qeverisë masat e reja që duhet ndërmarrë për luftimin e pandemisë.
“Do të propozojmë që të mbyllen klubet e natës, të reduktohet orari i gastronomisë dhe do të propozojmë zgjidhje rreth dasmave me shumë kufizime të reja”.
“Arsyeja pse do të merren këto masa është se shpërndarja e virusit është evidente që po vjen nga hapësirat e mbyllura”