Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka reaguar pas qëndrimit të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila tha se këtë të shtune do të mbahet mësim dhe se inspektorët do të dalin në terren.
Jasharaj ia kujtoi Nagavcit vendimin e gjykatës, se e njëjta e ka shkelur Kushtetutën, teksa kryeministrit të vendit, Albin Kurti, i tha se kur ka ligje e shkelen “nuk ke si të thuash ndryshe veç se po instalohet Kanuni i Albin Kurtit që i hedh poshtë gjithë ligjet e Parlamentit”.
“Kurti e trimëruar nga vota e fituar dhe të pafytyrët e me emra të rrejshëm në face book dhe disa analistë që ju mungon edhe elementarja njerëzore e mbrojnë dhe e trimërojnë Kanunin e Albin Kurtit dhe qeverisë që ai përfaqëson”.
“Zoja Nagavci nuk thotë gjë para opinionit se ka shkel ligjet bashkë me Hekuran Muratin dhe mundohet të ndëshkonte vetëm punëtorët e arsimit për grevën se grevistëve të tjerë ua kishte ndarë pagat. Lufta me SBASHK-un dhe arsimit ka vazhduar e po vazhdon dhe dihet pse për ta zhdukur këtë sindikatë që është e fortë dhe nuk dorëzohet”, është shprehur Jashara.
Tutje, kreu i SBAShK-ut tha se Nagavci po mundohet që ta ruaj pozitën e ministres, e që sipas tij, e njëjta po e shkel Kushtetutën, ligjet e Kontratën Kolektive të Arsimit të Kosovës, për të vetëm arsye, siç tha ai “të jetë pjesë e Kanunit të Albin Kurtit”.
Më tej, ai tha se Nagavci po i kërcënon ata se “mosmbajtja e orëve është vepër penale”, e që sipas Jasharajt ky është mjerim.
Ai ia kujtoi kohën kur u bë pjesë e grevës së 3 shtatorit të kohës së okupimit, teksa shtoi se përjetuan vizita të inspektorëve të policisë serbe e të UDB-së me përndjekje e grushte, ku tha se “me inspektorë po na kërcënon edhe tani ti”.
“SBASHK-u as në ato vite nuk u nënshtrua e as në këto ditë të Kanunit të Albin Kurtit nuk do të nënshtrohet. Mendo kush do të jesh ti nesër e në vitet e lavdishme të betejave për mbrojtjen e arsimit shqip ti nuk ishte askund e as edhe të pafytyrët që po më shajnë mua e mësimdhënësit e atyre viteve . Ndalu pak se kolltuku nuk zgjat me vite po jeta zgjat më shumë dhe vështirë të jetosh e turpëruar”, është shprehur Jasharaj.