Njërit prej tre të arrestuarve për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit i është zëvendësuar masa e paraburgimit në arrest shtëpiak.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti, duke thënë se i dyshuari M.M. do të mbahet në arrest shtëpiak edhe për dy muaj të tjerë.
“I dyshuari M.M. është dërguar në arrest shtëpiak edhe për dy muaj të tjerë. Dy të tjerët do të vazhdojnë të mbahen në paraburgim”, ka thënë shkurtimisht ajo për Kohën, përcjellë Gazeta “Enigma”.
Pasditen e 26 nëntorit, në Gllogjan ishin vrarë tre persona e një ishte plagosur pas të shtënave me armë në drejtim të autobusit. Autobusi që po bartte nxënës nga Gjakova për në Gllogjan ishte zënë në pritë siç thuhet nga një person, i cili kishte shtënë me kallashnikov në drejtim të automjetit. Të vdekur mbetën shoferi i autobusit, dhe dy nxënës të moshave 17 e 18-vjeçare.
Si të dyshuar ishin arrestuar më 11 dhjetor tre persona, H.M., K.M. dhe M.M, për veprat “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.
Një ditë pas, të dyshuarve u ishte caktuar masa e paraburgimit./Gazeta “Enigma”/