Kampionati Evropian, Kosova do të përballet me Gjermaninë

Kampionati Evropian, Kosova do të përballet me Gjermaninë

Të enjten mbrëma, në Nyon është bërë tërheqja e shortit për raundin e dytë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian për U17 në konkurrencën e femrave, i cili do të mbahet prej 3 deri më 15 maj në Bosnje e Hercegovinë.

Formati kualifikues është bërë në sistem të Ligës së Kombeve, ku Përfaqësuesja e Kosovës U17 në vjeshtë e kaloi me sukses rrethin e garave në Ligën B, duke u promovuar në Ligën A, përcjellë Gazeta “Enigma”.

Tani në raundin e ardhshëm kualifikues në Ligën A, Dardanet U17 do të garojnë në Grupin A5, me Gjermaninë, Austrinë dhe Slloveninë.

Fituesit e shtatë grupeve do të kualifikohen në Kampionatin Evropian, duke iu bashkuar Bosnje e Hercegovinës si nikoqire e turneut, derisa skuadrat që përfundojnë në pozitat e katërta në grupe do të bien në Ligën B, për edicionin e ardhshëm kualifikues 2022/23.

Ndeshjet e Grupit A5 do të zhvillohen më 23, 26 dhe 29 mars 2022, derisa vendi nikoqir i ndeshjeve të këtij grupi do të vendoset javën e ardhshme nëpërmjet shortit nga UEFA. Po ashtu, këtë të enjte është bërë tërheqja e shortit edhe për edicionin e ri kualifikues 2022/23 për Kampionatin Evropian për përfaqësuesen U19 (femrat).

Kosova do të bëjë pjesë në Ligën B në Grupin 4, së bashku me Skocinë, Estoninë dhe Kazakistanin.

Ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në muajin prill të vitit të ardhshëm në Skoci. Gjashtë skuadrat fituese të grupeve dhe skuadrat e vendeve të dyta me bilancin më të mirë në duelet ndaj skuadrave të para dhe të treta do të promovohen në Ligën A./Gazeta “Enigma”/

Related Articles