Kancelari austriak Sebastian Kurz është takuar të hënën në Bruksel me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, raporton Gazeta “Enigma”.
Kurz përmes një postimi në Twitter ka thënë se me Lajçakun diskutuan për dialogun Kosovë-Serbi dhe hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Gjithmonë kënaqësi për t’u takuar me Miroslav Lajcak. Diskutuam për dialogun Beograd-Prishtinë dhe nevojën për të filluar negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur. Unë rikonfirmova angazhimin e fortë të Austrisë për Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën evropiane të rajonit”, ka shkruar më tej Kurz.
Megjithëse është paralajmëruar rifillimi i dialogut Kosovë-Serbi në qershor, ende nuk është gjetur pajtueshmëri për caktimin e datës dhe agjendës së diskutimit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Nga Qeveria e Kosovës thonë se çdo fazë e re e dialogut duhet të ketë një dakordim paraprak për agjendën dhe pikat e diskutimit.