Të enjten – më 1 shtator, Qeveria e Kosovës pritet ta zbatojë vendimin për reciprocitet me Serbinë për targat, ndonëse gjatë muajit korrik pati tensione barrikada dhe dhunë në rrugët e veriut të Kosovës – kur ekzekutivi tentoi t’i vendos ndërsjellësi për targa dhe dokumente fqinjit verior, shkruan Gazeta Enigma.
Por, nëse nuk ka ndonjë marrëveshje mes palës kosovare dhe asaj serbe, sipas ish-komandantit të FKS-së, Kadri Kastartit, situata mund të destabilizohet prapë.
Kastrati, në një intervistë për Gazetën Enigma, thotë se strukturat paralele në atë pjesë janë në gjendje gatishmërie.
Madje, sipas tij, tash janë mobilizuar, ‘’sepse funksionojnë si ushtri, të gjithë i kanë punët e ndara’’.
Megjithëkëtë, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ferenc Kajari, gjatë një intervistë për RTK këtë muaj, nënvizoi se KFOR-i ka rritur praninë e vet në veri të vendit, derisa ka paralajmëruar serbët se ‘’nuk do të lejojë barrikadimin e rrugëve’’.
Edhe Kastrati kërkon nga KFOR-it që të jenë më vigjilent kësaj radhe.
‘’KFOR-i nuk duhet të jetë vëzhgues, por të jetë shumë më aktiv në moslejimin e grupeve kriminale në bllokimin e rrugëve’’, thekson Kastrati.
Ai ka potencuar se KFOR-i e ka mision dhe detyrë që t’i ruaj kufijtë e Kosovës.
Ushtaraku Kastrati – ka treguar se FSK-ja në rast të përshkallëzimit të situatës, nuk do të mundet t’ia dalë e vetme dhe për këtë arsye duhet të jenë në koordinim të përbashkët me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in
Intervista e plotë e ish-komandantit të FSK-së dhënë për Gazetën Enigma:
Gazeta Enigma: Zotëri Kastrati, a prisni që me 1 shtator të ketë prapë tensione në Veri?
Nëse nuk ka ndonjë marrëveshje deri me 1 shtator mundet të ketë përshkallëzim të situatës, serbët andej mund të bëjnë telashe, sepse strukturat serbe në atë pjesë janë të dirigjuara nga Beogradi dhe janë aktive si kanë qenë edhe më herët. Madje, tash janë në gjendje gatishmërie, sepse kjo është parë edhe herën e kaluar kur u bllokuan rrugët, sepse funksionojnë si ushtri. Të gjithë i kanë punët e ndara.
Gazeta Enigma: Gjeneral, a mund të na tregoni pse FSK-ja e ka të ndaluar të futet në Veri dhe në cilat raste mund të intervenojë?
Nuk është e ndaluar që FSK-ja të futet në Veri, por është një marrëveshje mes ish-kryeministrit Hashim Thaçi dhe ish-komandantit të KFOR-it në vitin 2013 në mënyrë që mos të ngritën tensione që FSK-ja të shkojë atje në koordinim me KFOR-in. Mendoj që kjo çështje për një kohë të shkurt duhet të jetë e tejkaluar sepse situata ka ndryshuar dhe ushtria do të duhej të veprojë aty ku e merr urdhrin nga komandanti suprem që është presidentja dhe që është Qeveria e Kosovës. Një prej pikave kryesore që e ka ushtria është mbështetja e autoriteteve qendrore dhe lokale. Nëse kërkohet nga këto autoritete, ajo duhet të vepron bazuar në mandatin e vet. Ushtria nuk merret me çështje të brendshme, por me mbrojtje të kufijve.
Gazeta Enigma: Sa është e pajisur me armatim FSK-ja dhe për çfarë armë ka më shumë nevojë?
Ushtrisë së Kosovës i duhen topa të gjitha kalibrave, minahedhës të gjitha kalibrave, armë për mbrojtje kundërajrore, mjete të komunikimit dhe pajisje personale të ushtarëve shumë të kushtueshme.
Gazeta Enigma: A mund të intervenojë KFOR-i nëse bllokohen rrugët prapë duke u vendosur barrikada nga serbët lokalë?
KFOR-i e ka mision dhe detyrë që ruan kufijtë e Kosovës, reaguesi i parë është policia dhe ai i dyti është KFOR-i që të mbështes policinë e Kosovës për të siguruar lëvizje të lirë dhe jetën e qytetarëve, por edhe policia e EULEX-it gjithashtu. Unë mendoj që KFOR-i do të duhej të jetë shumë aktiv se sa që ka qenë në të kaluarën, nuk duhet të jetë vëzhgues, por të jetë shumë më aktiv në moslejimin e grupeve kriminale në bllokimin e rrugëve.
Gazeta Enigma: Meqenëse keni qenë në krye të FSK-së, a keni pasur informata se si veprojnë strukturat ilegale në Veri?
Shërbimi sekret serbë bashkë me mercenarë rusë janë prezent në veri dhe dirigjohen nga Beogradi dhe nga njeriu i cili quhet Dikoviq, ish-gjeneral, i cili është i bekuar dhe emëruar nga presidenti Vuçiç dhe ata veprojnë në mënyrë të organizuar. Sipas disa informacioneve që unë i kam me dijeninë e Vuçiqit dhe Vulinit janë duke rekrutuar mercenarë rusë për t’i sjellë në veri të Kosovës. Serbia ka qëllime territoriale ndaj Kosovës është shumë e interesuar që të ketë, të bllokojë veriun e Kosovës dhe për atë arsye mendoj që KFOR-i, Policia e Kosovës por edhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të duhet që të jenë shumë vigjilente.
/Gazeta Enigma/