“Qeveria duhet të jetë shumë më e përgjegjshme ndaj situatës me pandeminë sepse kanë treguar një neglizhencë dhe jo seriozitet në qasjen e këtij problem”.
Kështu ka thënë për Gazetën “Enigma” deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.
Haxhiu ka theksuar se Kosova është në një fazë shumë të rrezikshme të situatës me pandeminë dhe kjo sipas tij për shkak të paditurisë, për shkak të papërgjegjësisë dhe dështimit të Qeverisë në procesin e vaksinimit.
Derisa Kosova gjendet në vendin e 135-të në botë në procesin e vaksinimit, Haxhiu I ka bërë thirrje Qeverisë për të vendosur masa kufizuese.
“Tani duhet me vendos masa kufizuese, derisa Qeveria ka dështuar në sigurimin e vaksinave, ka dështuar në plan program të vaksinimit, prandaj qytetarët nuk kanë të drejtë të penalizohen për shkak të papërgjegjësisë së Qeverisë”, ka thënë ai.
Megjithatë, sipas Haxhiut masat që mund të parashihen nga Qeveria, janë masa të vonuara, derisa deputeti ka theksuar se kjo po ndodhë për shkak të neglizhencës së Qeverisë ndaj problemit aktual.
“Për shkak të Albin Kurtit dhe papërgjegjësisë së tyre rrezikohet jeta e qytetarëve. Kjo pra është ekskluzivisht papërgjegjësi e Qeverisë”, ka shtuar Haxhiu.
Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje me shkrim për Gazetën “Enigma” kanë thënë se masat kufizuese varen nga rekomandimet që jep IKSHPK.
“Kjo varet nga situata epidemiologjike, rrjedha e mëtejme e saj dhe rekomandimet që jep IKSHPK”, thuhet në përgjigjen e MSH-së, derisa ky institucion vazhdimisht u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen, sepse sipas tyre vetëm kështu mund të mbrohet shëndeti i tyre dhe se varianti ‘Delta’ del të jetë më i përhapuri në Kosovë.
Ndërsa, infektologu, Ilir Tolaj, ka thënë për Gazetën “Enigma” se vaksinimi i popullatës është mënyra e vetme për ta kaluar COVID dhe mos përhapjen e ndonjë varianti të ri.
“Ne Kosovë, një pjesë e popullatës nuk e ka kaluar ende virusin, ndërsa një pjesë tjetër po hezitojnë të vaksinohen. Për ketë arsye, të gjithë ata që nuk e kanë kaluar infeksionin në menyrë natyrore ose nuk vaksinohen janë të rrezikuar të infektohen”, ka theksuar ai.
Megjithatë, Tolaj ka thënë se edhe nëse në muajt në vazhdim do të ketë rritje të rasteve, nuk pret që kjo rritje të jetë e përmasave të valës së tretë të pandemisë të cilën e kemi lenë pas.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se sot gjatë mbledhjes do të merret vendimi për masat antiCOVID-19, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Derisa, në bazë të statistikave të IKSHPK-së, numri i rasteve aktive me COVID ka arritur në është 2,640.
/Gazeta Enigma/.