Jeton Zulfaj, këshilltari politik i kryeministrit Albin Kurti, ka reaguar pasi që Kosova nuk është ftuar të marr pjesë në Samitin për Demokraci që mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zulfaj ka thënë se është aspak befasi përse Kosova nuk u ftua në Samitin për Demokraci të thirrur nga SHBA-të, pasi sipas tij, demokracia në Kosovë ka rënë gjatë qeverisjes Hoti.
“Mbase edhe ndonjë muaj do të shihemi me raportet ndërkombëtare të 2020. Nuk është aspak befasi përse Kosova nuk u ftua në Samitin për Demokraci të thirrur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që radhitet më së ulëti në “Nations in Transit” nga Freedom House me 3.14 nga 7 pikë ose 36% nga 100%”.
“Freedom House vlerëson se këtë vit rezultati i demokracisë shënoi rënie për Kosovën për shkak të instalimit jokushtetues të qeverisë Hoti në Qershorin e vitit 2020. Pra, ashtu sikurse Raporti i Progresit edhe ky i Freedom House e të tjerë që u publikuan janë të bazuar kryesisht në vitin e kaluar”, ka thënë Zulfaj në reagimin e tij në Facebook.
Tutje, ai ka shkruar se “Kosova dhe qytetarët e saj s’kanë asnjë arsye për t’u hidhëruar por as për t’u dëshpëruar pasi rezultatet e ndryshimeve të mëdha demokratike që ata sollën këtë vit do t’i shohim të reflektuara në raportet ndërkombëtare në vitin që vjen, ashtu siç do të shohim progres të gjithmbarshëm”.