Dy shtetas të Serbisë janë arrestuar mbrëmë nga Policia e Kosovës në veri të vendit, teksa po lëviznin me veturën e tyre me targa të Sllovenisë. Gjatë kontrollit të automjetit që drejtonin janë gjetur dhe janë konfiskuar pajisje të kundërligjshme, përfshirë thika, maska kamuflazhi, emblema me simbole nacionaliste e dokumentacione.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se dy të arrestuarit janë Ivan Sekulic (30-vjeçar) dhe Sinisa Jevtic (48-vjeçar), të cilët sipas informacioneve të para dyshohet se janë veteranë të Serbisë.
Ndaj të dyshuarve pas arrestimit dhe intervistimit në Polici, me vendim të prokurorit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.
Krejt çka u gjet në veturën e tyre
“Dëshmitë e konfiskuara në cilësi të provave materiale, të cilat dyshohet se mund të përdoren për veprime të dhunshme janë:
- një (1) shufër metalike (policore),
- një (1) maskë kamuflazhi,
- disa thika,
- disa emblema me simbole nacionaliste (4 S) dhe flamur serb (4 S),
- disa lloje të dyshuara të substancave narkotike,
- telefona celularë,
- sprej të ndryshëm,
- sfera metalike,
- lidhëse plastike,
- një (1) automjet,
- një (1) kartelë e veteranëve të luftës së Serbisë, dhe
- një (1) kartelë të akademisë për siguri e Serbisë.
- një (1) çekan etj”, thuhet në njoftimin e Policisë.


