Komiteti për menaxhim të pandemisë COVID një ditë më parë mbajti mbledhje, derisa propozoi lehtësim të masave antiCOVID, të cilat pritet që sot të miratohen nga Qeveria e Kosovës.
Kufizimi i lëvizjes është propozuar të jetë deri në orën 24:00, ndërsa orari i lokaleve të gastronomisë është lejuar deri në 23:00.
Në propozimin e Komitetit për menaxhimin e pandemisë është rekomanduar po ashtu që hyrja në Kosovë të jetë me dy vaksina pa pasur nevojë për testin PCR.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi pas mbledhjes së Komitetit ka njoftuar se masat e reja të propozuara prite të votohen në mbledhjen e së premtes në Qeveri, ndërsa të hyjnë në fuqi të shtunën.
“Ne kemi vendosur në bazë të masave që kemi pasur deri tani, ato kanë treguar efekt shumë të mirë kështu që ne do t’i lehtësojmë shumicën prej këtyre masave. Për shembull hyrja në kufi do të jetë më dy vaksina, ne i kemi propozuar, nesër qeveria duhet t’i aprovojë sigurisht”.
“Nëse i ka dikush dy vaksina ose tri mund të hyjë në Kosovë, ai që ka vetëm një duhet me pas test. Opolicore, është shtyrë deri në orën 24:00, dhe fitneset do të hapen. Por qëllimi kryesor që të kërkohet nga të gjithë këta të restoranteve, lokaleve, të shtëpive të mallrave, qendrave tregtare që hyrja të kufizohet për vetëm ata që kanë vaksina”, tha ai.
Ndryshe, ndaj këtyre ndryshimeve të masave antiCOVID kanë shprehur pakënaqësi gastronomët, të cilat thanë se heqja e orës policore dhe zgjatja e orarit të kafiterive është dashur të ndodhte edhe më herët.
Kryetari i Gastronomisë, Veton Zuka ka shprehur pakënaqësi ndaj këtyre masave të ndërmarra.
Ai për Gazetën “Enigma” tha se duhet rishqyrtim për këto masa të reja, për shkak se sipas tij në lirimin e masave nuk kanë hyrë sallat e dasmave, klubet e natës.
“Prap kemi të bëjmë me një mangësi të masave, shtoja këtu edhe orën policore që është e panevojshme edhe e pakuptimtë”, ka thënë Zuka.
Zuka është ankuar se Qeveria deri tani nuk i ka ndihmuar me mjete financiare gastronomët.
“Qeveria nuk ka paguar asgjë, realisht prej kur ka qenë 8 përqind, e kthyn në 18 përqind dhe masat u bënë edhe më rigoroze, kshtu që nuk kanë reaguar asgjë”.