Këto janë pasojat ligjore nëse Kurti nuk i përgjigjet urdhëresës së Gjykatës për intervistim nga Prokuroria

Këto janë pasojat ligjore nëse Kurti nuk i përgjigjet urdhëresës së Gjykatës për intervistim nga Prokuroria

Meqë dy herë refuzoi të shkojë të dëshmojë në rastin e rezervave shtetërore, tash Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata në Prishtinë që ta urdhërojë kryeministrin Kurti të paraqitet për intervistim. Çka ndodhë nëse Gjykata e aprovon kërkesën e Prokurorisë Speciale?

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë kërkesë nga Prokurorisë Speciale që kryeministri Kurti të paraqitet në prokurori për të dhënë dëshmi në cilësinë e dëshmitarit në rastin e rezervave shtetërore.

Këtë e konfirmoi zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Ajo tha se po e shqyrtojnë kërkesën e Prokurorisë.

“Konfirmojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka pranuar kërkesën në fjalë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e njëjta është duke u shqyrtuar nga gjykata”, tha Gashi.

Çka ndodhë nëse Gjykata e aprovon kërkesën e Prokurorisë Speciale?

Ehat Miftaraj nga IKD ka thënë se nëse Kurti nuk përgjigjet edhe pas aprovimit të kërkesës së Prokurorisë mund të gjobitet deri në 250 euro për secilën herë që s’paraqitet.

Ai shtoi se nëse Kurti vazhdon të refuzojë të dëshmojë pasi të gjobitet, mund të burgoset.

“Në bazë të ligjit kur dëshmitari i cili është thirrur me rregull nuk paraqitet, e mosparaqitjen nuk e arsyeton,  gjyqtari i procedurës paraprake sipas detyrës zyrtare apo kërkesës së prokurorit të shtetit mund ta detyrojë dëshmitarin që të paraqitet. Nëse dëshmitari nuk paraqitet, gjyqtari i procedurës paraprake e dënon atë me gjobë deri dyqindepesëdhjetë (250) Euro për çdo herë që nuk paraqitet. Nëse dëshmitari vazhdon të refuzojë të dëshmojë pasi që është dënuar me gjobë, ai mund të burgoset”, tha ai.

Njohësi i drejtësisë thotë se kërkesa e prokurorisë drejtuar gjykatës është e drejtë dhe e bazuar në ligj.

“Kërkesa e prokurorisë është e drejtë dhe e bazuar në ligj, që qëllim kryesor ka zhvillimin e hetimeve në një rast penal ku kryeministri Kurti është duke u ftuar si dëshmitar”, tha Miftaraj.

Kryeministri Kurti dhjetorin e vitit të kaluar kishte pranuar dy herë ftesën për t’u intervistuar në rastin e rezervave shtetërore. Thirrjet e 16 dhe 20 dhjetorit, ai i pat refuzuar.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, kishte thënë se Kurti “ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dyja palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e Prokurorisë”.

Një gjë e tillë ishte kritikuar nga ekspertë ligjorë.

Related Articles