Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 56-të me radhë ka marrë një varg vendimesh, raporton Gazeta “Enigma”.
Sipas njoftimit të ZKM-së, dy projektligjet që janë miratuar janë: Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeveris së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e lehtësirave doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje/daljes së mallrave dhe Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për sigurime shoqërore në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.
Ndër vendimet e marra ishte edhe ai për vazhdimin e shtesave të punëtorëve shëndetësor deri në qershor të këtij viti.
Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të ZKM-së:
Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, të 56-tën me radhë, në të cilën ka miratuar Planin Strategjik Operacional të Qeverisë për periudhën 2022-2025, dy projektligje dhe vendime tjera.
Mbledhja filloi me miratimin e Planit Strategjik dhe Operacional të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2022-2025. Ky dokument është instrumenti kryesor për zbatimin e prioriteteve të Qeverisë, dhe duke qenë njëkohësisht edhe mekanizëm institucional shërben për të zbatuar në praktikë Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 2021 -2025, si dhe integrimin dhe harmonizimin e prioriteteve dhe masave të parapara në MSA dhe dokumente tjera strategjike.
Plani Strategjik dhe Operacional i Qeverisë së Republikës së Kosovës përmban: 80 Qëllime Strategjike, 288 Nën-qëllime strategjike, 1150 Objektiva Operacionale, si dhe 4170 tregues të procesit. Për vitin 2022 janë paraparë të përfundojnë 3155 tregues kryesor të procesit, të cilët u shërbejnë realizimit të Objektivave Operacionale. Pjesë e Planit është edhe Programi Legjislativ, i cili përmban përgatitjen e 130 projektligjeve.
Qeveria e Kosovës ka miratuar dy projektligje, të cilët kanë për qëllim ratifikimin e dy marrëveshjeve mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë të nënshkruara në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive me 26 nëntor 2021 në Elbasan:
1. Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeveris së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e lehtësirave doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje/daljes së mallrave; dhe
2. Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për sigurime shoqërore në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.
Në mbledhjen e sotme është themeluar Komisioni Ekzekutiv për zhvillimin e sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional kundrejt nevojave të tregut të punës të Republikës së Kosovës, me këtë përbërje:
1. z. Albin Kurti, Kryeministër, kryesues;
2. znj. Arberie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit;
3. z. Hekuran Murati, Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve;
4. znj. Rozeta Hajdari, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë;
5. znj. Artane Rizvanolli, Ministre e Ekonomisë;
6. znj. Majlinda Rizvanolli – Bajraktari, Këshilltare e jashtme për Arsim dhe Aftësim Profesional (AAP); dhe
7. z.Enis Spahiu, Zëvendësues i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.
Me vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme, do të mbesin në fuqi deri në nxjerrjen e udhëzimeve të reja administrative:
1. Udhëzimi administrativ Nr. 33/2007 për Kushtet Teknike të Objekteve Ndërtimore për Qasjen e Personave me Aftësi të Kufizuara;
2. Udhëzimi Administrativ Nr. 02/2017 për Vlefshmërinë e Programeve Studimore të Bartësve Privatë të Lartë,;
3. Udhëzimi Administrativ Nr. 08/2019 për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ Nr. 15/2018 për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë në Republikën e Kosovës;
Më tej, Qeveria ka emëruar Bordin drejtues të Ndërmarrjes Publike Qendrore Posta e Kosovës, Sh.A., në përbërje të gjashtë drejtorëve, mandati i të cilëve në pajtim me Ligjin për ndërmarrjet publike do të zgjasë tri vite. Përveçse profesional, bordi ka edhe përfaqësim të barabartë gjinor dhe përbëhet nga:
1. Fadil Bejta, kryesues,
2. Safije Beseni, anëtare,
3. Hyrmete Mydyti, anëtare,
4. Sebahate Krasniqi, anëtare,
5. Visar Nura, anëtar dhe
6. Gëzim Paci, anëtar
Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar Pasqyrën preliminare financiare për ekzekutimin e buxhetit dhe bilancin e fondeve për vitin 2021. Kjo pasqyrë përmbanë një përmbledhje të pozicioneve kryesore të të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore gjatë vitit 2021, dhe bilancet e pashpenzuara të fondeve më 31 dhjetor 2021. Ajo evidenton se të hyrat e përgjithshme gjatë viti 2021 kanë qenë 2,487.09 milionë euro dhe paraqesin 92 për qind të mjeteve të planifikuara, ndërsa në krahasim me vitin paraprak janë për 13% më shumë. Shpenzimet gjatë këtij viti ishin 2,379.56 milionë euro që paraqesin 87% të shpenzimeve të planifikuara, ndërsa krahasuar me vitin e kaluar paraqet 2% më shumë.
Qeveria gjithashtu ka miratuar edhe vendimin për ndryshimin e tabelave të Ligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, për përmbushjen e obligimeve të pakryera financiare nga viti paraprak për projektet shumëvjeçare. Vendimi do të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës për informim.
Njashtu është aprovuar edhe pagesa shtesë prej 10% të pagës bazë, por jo më pak se 60 euro, për punonjësit shëndetësorë në sektorin publik (stafin shëndetësorë dhe mbështetës), për periudhën janar-qershor të vitit 2022. Për këtë qëllim, sipas vendimit, janë ndarë 5,600,000 euro, që do të sigurojë edhe zbatimin e masës për mbështetje të sektorit të shëndetësisë sipas Pakos për Ringjalljen Ekonomike.
Gjatë mbledhjes së sotme janë ndarë 3,000,000 euro euro për subvencionimin e polisave kufitare, në zbatim të vendimit të Qeverisë i lidhur me Pakon e Ringjalljes Ekonomike, Masa 4.5 “Mbështetja e Mërgatës”.
Është plotësuar dhe ndryshuar vendimi i Qeverisë për Themelimin e Komisionit Shtetëror për hulumtimin, regjistrimin/inventarizimin, vlerësimin dhe dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike të shkatërruara gjatë luftës së vitit 1998 dhe 1999. Me plotësimin dhe ndryshimin, në vend të z. Mehmet Kraja, emërohet znj. Edi Shukriu nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa përfaqësuese e Zyrës së Kryeministrit caktohet Rozafa Kelmendi, përfaqësuese e Ministrisë së Drejtësisë, Valëza Sadriu, si dhe shtohet edhe një anëtarë, z.Andreë Herscher, profesor në Universitetin e Miçiganit.
Ndërkaq është miratuar Strategjia Kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave 2022-2026. Strategjia është ndërtuar me qëllim të arritjes së katër objektivave:
· parandalimin dhe identifikimin e dhunës;
· avancimin dhe harmonizimin e politikave publike me standardet ndërkombëtare;
· fuqizimin institucional për mbrojtjen dhe trajtimin e viktimave; dhe
· sigurimin e shërbimeve të përgjithshme dhe shërbimeve mbështetëse të specializuara për viktimat.
Strategjia ka në themel vizionin për një shoqëri ku të gjithë janë të sigurtë dhe të barabartë. Të gjithë duhet të jetojnë pa frikën apo kërcënimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave. Qëllimi i strategjisë është parandalimi dhe luftimi i dhunës, mbrojtja dhe fuqizimi i viktimave dhe vendosjen e kryerësve të dhunës para përgjegjësisë.
Dhe në fund, Qeveria ka miratuar Koncept dokumentin për Verëtarinë, përmes të cilit synohet hartimi i politikave që do të sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm të prodhimit të rrushit dhe verërave në vendin tonë. Opsioni i rekomanduar i këtij Kocept Dokumentin, opsioni 3, parasheh plotësim ndryshimin e Ligjit për Verëra në mënyrë që të adresohen çështje që janë të parregulluara apo kanë zbrastësira juridike. Përmes këtyre ndryshimeve do të rregullohet në mënyrë me precize:
· Menaxhimi i drejtë dhe i qëndrueshëm i Vreshtarisë dhe Verëtarisë;
· Tregtimi i brendshëm, eksporti dhe importi i verës;
· Përcaktimi i Emërtimeve të Origjinës dhe Treguesve të mbrojtur Gjeografikë;
· Regjistri i vreshtave dhe Sistemi për menaxhimin e Cilësisë së verërave;
· Definimi më i qartë i kompetencave të inspektorëve dhe trupave të autorizuar;
· Ndarja Teritoriale e kultivimit të hardhisë;
· Kultivarët e autorizuar dhe të rekomanduar për mbjellje në Republikën e Kosovës.