Konfirmohet aktakuza ndaj deputetit të VV-së, akuzohet me dy vepra penale

Konfirmohet aktakuza ndaj deputetit të VV-së, akuzohet me dy vepra penale

Gjykata e Apelit të martën ka konfirmuar aktakuzën ndaj deputetit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani.

Ai akuzohet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe pengimin e personave zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.

Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Apeli e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Ramadani, avokatit Naser Sopjani, e paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, lidhur me kundërshtimet dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.

Gjykata e shkallës së parë me aktvendimin e datës 8 shtator 2021 kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës të parashtruar nga mbrojtësi i të pandehurit Ramadani, me arsyetimin se pretendimet e të njëjtit janë të paqëndrueshme, të paargumentuara dhe të pambështetura në ndonjë arsye konkrete.

Kundër këtij aktvendimi brenda afatit ligjor ankesë ka ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Ramadani, avokati Sopjani, për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës penale dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike. I njëjti ka propozuar që Gjykata e Apelit ankesën ta aprovoj si të bazuar, aktvendimin e ankimnuar ta ndryshoj në mënyrë që ta hudhë aktakuzën e ushtruar ndaj Ramadanit.

Tutje, Prokurori i Apelit me parashtresë ka propozuar që ankesa e mbrojtësit të të pandehurit të refuzohet si e pabazuar, kurse vendimi i ankimuar të vërtetohet.

Ndërsa, Apeli pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës në këtë çështje penale ka gjetur se ankesa e avokatit Sopjani nuk është e bazuar.

“Kjo gjykatë, po ashtu vlerëson faktin se në rastin konkret ajo çka është relevante për këtë fazë të procedurës penale, është fakti se aktakuza e ngritur ndaj të pandehurit si e tillë është përpiluar në pajtim me nenin 241 paragrafi 1 të KPP-së, e njëjta nuk përmbaj të meta të atilla që pamundësojnë vazhdimin e procedurës penale dhe se përmban të gjitha elementet e nevojshme që të mund të procedohet në fazat tjera të procedurës penale dhe nuk qëndrojnë pretendimet si në kërkesën për hudhje të aktakuzës, njëherit aktakuza mbështet në prova thellësisht të mbështetshme dhe të marra konform dispozitave ligjore dhe se nuk ka vend për hudhjen e akuzës ashtu siç pa të drejtë pretendohet në ankesë”, thuhet në vendimin e Apelit. /Gazeta Enigma.

Related Articles