Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, bashkë me Presidenten, Vjosa Osmani, dhe Kryeministrin, Albin Kurti, për nder të 12 Qershorit, Ditës së Çlirimit, ka vendosur kurora lule te varrezat e të rënëve në Poklek dhe ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme në disa vende të Kosovës, raporton Gazeta Enigma.
Fillimisht kryekuvendari Konjufca bashkë me Presidenten Osmani dhe Kryeministrin Kurti kanë vendosur buqeta me lule te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s, në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë.
Më pas, së bashku me krerët e tjerë shtetërorë, ambasadorë të shteteve të huaja të akredituar në Kosovë, deputetë dhe ministra, kryetarë të komunave dhe familje të dëshmorëve, ka marrë pjesë në manifestimin qendror në fshatin Poklek të Drenasit, pikërisht në oborrin e shtëpisë ku forcat ushtarake, policore e paramilitate serbe kanë vrarë dhe më pas kanë djegur 53 civilë shqiptarë, në mesin e tyre gra dhe fëmijë.
Paraprakisht udhëheqësit e institucioneve të vendit kanë vënë buqeta me lule te varreza e përbashkët e të vrarëve në masakrën e Poklekut.
Në fjalën e tij kryetari Konjufca tha se sot po përkujtohet masakra e Poklekut, por Serbia nuk ka asnjë pengesë për të e krimet e tjera të kryera gjatë luftës.
“Jemi mbledhur në Poklek meqë, kush e njeh mirë masakrën e Poklekut, e di sa e thellë është plaga jonë që na ka shkaktuar gjenocidi i Serbisë. Këtu u vranë mizorisht 53 shqiptarë, nga të cilët 24 fëmijë. Liria erdhi, por kjo plagë e shumë të tjera kullojnë. Janë afër 14 mijë qytetarë të vrarë nga Serbia, prej të cilëve 1133 fëmijë. Për Serbinë, për të gjitha këto nuk ka pasur kurrfarë pengese kurrë”, tha Konjufca, duke shtuar se kërcënimi nga Serbia sot është më i pranishëm se kurrë.
“Për sa kohë Serbia e mban Kosovën në Kushtetutën e saj dhe për sa kohë Kosovën e konsideron tokë e saj, asgjë nuk ka përfunduar me Serbinë. Prandaj, 12 qershorin duhet ta festojmë gjithnjë me krenari për atë që është arritur, por edhe me vigjilencë për atë që nuk ka përfunduar ende”, tha kryekuvendari Konjufca.
Pas manifestimit në Poklek, kryetari Konjufca bashkë me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti kanë vazhduar për në fshatin Kleçkë, ku kanë bërë homazhe të kompleksi i dëshmorëve në këtë fshat.
Më pas Konjufca, Osmani dhe Kurti kanë vizituar edhe shtëpinë muze në fshatin Divjakë, në të cilën ishte i vendosur Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nga Divjaka kryekuvendari Konjufca tha se pa luftën dhe pa organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa rreshtimin në të të mijëra djemve dhe vajzave të Kosovës, shumë prej të cilëve e kanë dhënë edhe jetën, nuk do ta kishim as lirinë, as shtetësinë, as pavarësinë.
“Pikërisht pas kësaj sakrifice erdhi 12 qershori, i cili nuk ka qenë momental, por ka qenë sublimim i një rruge shumë të gjatë, një mund dhe një sakrificë e pandërprerë e popullit të Kosovës përgjatë shekujve. Kur e shohim nga perspektiva se cili është kuptimi i vërtetë i 12 qershorit, atëherë shohim se kuptimi i vërtetë është arritja e lirisë, për të cilën kanë sakrifikuar breza të tërë”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës.
Kryetari Konjufca shtoi se nga të gjitha përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi, etapa më e lavdishme është etapa e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./Gazeta Enigma/