Të shtunën e 1 korrikut në disa zona të vendit pati reshje të mëdha të shiut të shoqëruara me stuhi të forta, ku si pasoj e reshjeve të dendura te shiut u vërshuan rrugët, u bartën automjetet, e u dëmtuan shtëpi banimi, shkruan Gazeta “Enigma”.
Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka kërkuar që të krijohet Fondi Emergjent për komunat, në mënyrë që qytetarët e prekur nga fatkeqësitë natyrore të kompensohen më shpejt.
“Fondi emergjent për komuna objektiv kryesor do ta ketë ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve sa më shpejt që është e mundur pas këtyre fenomeneve të fundit që po ndodhin”, tha Ibrahimi.
Tutje ai ka theksuar se nëse formohet Fondi Emergjent dhe nuk shfrytëzohet nga komuna, atëherë niveli qendrorë mund ta rimarr përsëri.
“Nëse ai fond nuk shfrytëzohet nga komuna atëherë niveli qendrorë mund ta ketë të drejtën ta rimarr përsëri, mirëpo është shumë me rëndësi që qytetarëve të iu dalin në ndihmë institucionet sa më shpejtë që është e mundur në kohën e vërshimeve”, ka theksuar ai.
Dëmet e shkaktuara nga vërshimet ende nuk janë kompensuar
Ibrahimi në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka deklaruar se “qytetarë që kanë pësuar në vërshimet e janarit të këtij viti në bazë informatave që i kemi nga kryetarët e komunave ende nuk janë kompensuar”.
“Po të ishte ky fond i ndarë nëpër komuna, atëherë komunat do të vepronin shumë më shpejtë”, është shprehur kryetari i AKK.
Tutje ai ka shpjeguar proceduarat që duhet të kalohen për të nisur me kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësi të ndryshme natyrore.
“Procedurat burokratike që janë së pari komuna duhet të i formoj komisionet vlerësuese, ato komisione e bëjnë regjistrimin e gjithë dëmeve nga ekonomit familjare, bujqësia, infrastruktura e shumë të tjera. Pastaj ato lista verifikohen edhe njëherë, pastaj shkojnë në Kuvend Komunal, e Kuvendi Komunal i miraton ato lista dhe pastaj dërgohen në Agjencionin e emergjencave, pastaj ky agjencion i dërgon në komisionin qendrorë i cili pastaj fillon me kompensimin e dëmeve”.
“Pse po ndodh kjo, a ka mos besim ndërinstitucional apo ku është problemi? Nëse Kuvendi Komunal i shikon dhe komuna i rishikon ato lista dhe merr vendim që ata janë të dëmtuarit, atëherë nuk e dimë se përse niveli qendrorë nuk ka besim në nivel lokal”, ka thënë mes tjerash Ibrahimi.
Sipas tij po të ishte ky Fond Emergjent dëmet do të mund të kompensoheshin menjëherë.
“Po të ishte ky Fond Emergjent për komunat, atëherë pas miratimit nga Kuvendet Komunale dëmet menjëherë do të mund të kompensoheshin, e jo të ndodh kjo që është duke ndodhur që edhe pas 6 muajve të mos kemi ende kompensim të dëmeve, nuk ka kurrfarë logjike dhe kurrfarë arsye”.
E për këto vonesa Ibrahimi ka thënë se po ndodhin për arsye se niveli qendrorë nuk ka besim në nivel lokal.
“Pse niveli qendrorë nuk po merr iniciativë që ti përkrahë qytetarët më shpejtë? Ku qëndron problemi që ende qytetarët që kanë pësuar dëme p.sh fermerët ne Rahovec nga viti i kaluar ende nuk janë kompensuar, kjo çështje është deklaruar edhe nga kryetari i kësaj komune Smajl Latifi”, tha ai.
Ka biznese që janë mbyllur për shkak të vërshimeve
“Këto vërshime kanë shkaktuar edhe në ekonomi probleme. Ka pasur biznes, nuk e ka gjetur përkrahjen e institucioneve qendrore dhe nuk ka mundur ta rifilloj biznesin dhe e ka mbyllur atë biznes, pra kemi edhe raste të tilla”, ka njoftuar Ibrahimi.
I pari i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka bërë thirrje që sa më shpejht të formohet ky fond dhe të ndihmojnë qytetarët e prekur nga vërshimet.
“Për këtë arsye është fondi emergjent për Komuna i detyrueshëm dhe i obligueshëm që sa më shpejt të krijohet që me iu dal në ndihmë qytetarëve të cilët preken nga vërshimet apo nga fenomenet tjera”, ka përfunduar ai.
Në Rahovec sot nuk ka vërshime, situata është e qetë dhe stabile
Drejtoresha për Mbrojtje dhe Shpëtim, në Komunën e Rahovecit, Besë Bytyçi, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka deklaruar se dje në këtë komunë nuk ka pasur vërshime.
“Vlen të theksohet që në Rahovec të shtunën e 1 korrikut nuk ka pasur vërshime, ka pasur shi të intensitetit të lartë dhe erëra të forta por jo vërshime”, tha ajo.
Bytyqi tutje ka deklaruar se erërat e forta shkaktuan dëme të mëdha.
“Dëmet janë shkaktuar në kultura bujqësore, infrastrukture publike, drunjtë dekorativ dhe në rrjetin e energjisë elektrike, por jo në përmasa të mëdha”.
“Ne edhe sot jemi vazhdimisht në kontakt me të gjitha dikasteret, dhe këshillat e fshatrave, jemi të gatshëm për intervenim për çdo rast”, tha Bytyqi për “Enigmën”.
Çka mund të bëjnë qytetarët e dëmtuar?
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka thënë në një postim në Facebook se ekipet mobile të FSK-së janë “në gatishmëri të plotë, 24 orë në 7 ditë të javës”, teksa ka publikuar numrat e shërbimit emergjent, ku qytetarët mund të drejtohen në rast nevoje.
Numrat e shërbimeve emergjente
Në Kosovë ekzistojnë këta numra të shërbimeve emergjente:
112 – Numri unik emergjent
192 – Policia e Kosovës
193 – Zjarrfikësit dhe
194 – Ndihma e shpejtë.
Kujtojmë se disa zona të Kosovës janë përmbytur edhe në nëntor të vitit 2022, por vendi është përballur shpeshherë me vërshime të këtij lloji edhe në vitin 2023. /GAZETA ENIGMA/