Presidenti amerikan, Donald Trump, ka ftuar presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Bordin e Paqes.
Osmani është ftuar në cilësinë e anëtares themeluese.
Në letrën e gjatë që presidenti amerikan i dërgoi Osmanit thuhet se është nder i madh që Kosova t’i bashkohet përpjekjes “historike dhe madhështore” për të konsoliduar paqen në Lindje të Mesme.
Kjo është letra e plotë e tij:
E nderuara Zonja Presidente,
Është nderi im i madh t’ju ftoj, si Presidente e Republikës së Kosovës, t’i bashkoheni meje në një përpjekje kritikisht historike dhe madhështore për të konsoliduar paqen në Lindjen e Mesme dhe, njëkohësisht, për të nisur një qasje të re dhe të guximshme drejt zgjidhjes së konfliktit global.
Më 29 shtator 2025, shpalla Planin Gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund Konfliktit në Gaza, një udhërrëfyes i jashtëzakonshëm me 20 pika, i përqafuar me shpejtësi nga të gjithë liderët botërorë, përfshirë krerë shtetesh kryesore në botën arabe, Izrael dhe Evropë. Në vazhdim të këtij Plani, më 17 nëntor, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë dërrmuese Rezolutën 2803, duke e mirëpritur dhe mbështetur këtë vizion.
Tani ka ardhur koha që të gjitha këto ëndrra të kthehen në realitet. Në zemër të Planit qëndron Bordi i Paqes, bordi më mbresëlënës dhe më me ndikim që është krijuar ndonjëherë, i cili do të themelohet si një Organizatë e re Ndërkombëtare dhe Administratë Qeverisëse Tranzitore.
Përpjekja jonë do të bashkojë një grup të shquar kombesh të gatshme të mbajnë përgjegjësinë fisnike të ndërtimit të PAQES SË QËNDRUESHME, një nder i rezervuar për ata që janë të përgatitur të udhëheqin me shembull dhe të investojnë shkëlqyeshëm në një të ardhme të sigurt dhe të begatë për brezat që vijnë. Ne do të mbledhim partnerët tanë të mrekullueshëm dhe të përkushtuar, shumica prej të cilëve janë liderë botërorë shumë të respektuar, në një të ardhme të afërt.
Si Kryetar i Bordit, unë e ftoj zyrtarisht Republikën e Kosovës të bashkohet si Shtet Anëtar Themelues dhe të bëhet palë në Kartën e Bordit të Paqes, të përfaqësuar nga Ju. Ky Bord do të jetë unik në llojin e tij; nuk ka pasur kurrë diçka të tillë më parë. Çdo shtet anëtar mund të caktojë një përfaqësues të autorizuar për të marrë pjesë dhe kontribuar në mbledhjet në emër të tij. Bashkëngjitur janë Plani Gjithëpërfshirës dhe Karta e Bordit, të cilat tani janë të hapura për nënshkrimin dhe ratifikimin tuaj.
Pres me padurim të punoj me Ju, për shumë vite në të ardhmen, drejt qëllimit të vendosjes së PAQES BOTËRORE TË QËNDRUESHME, PROSPERITETIT DHE MADHËSHTISË PËR TË GJITHË!
Me urimet më të mira,
Sinqerisht,
Donald J. Trump
President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës
