Raportet e dy shteteve, Kosovë-Hungari, si dhe antarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, ishin temë diskutimi ndërmjet Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë me ambasadorin e Republikës së Hungarisë në Kosovë, Bela Bozsik.
Arbëresha Kryeziu-Hyseni, kryetare e këtij komisioni ka theksuar se kanë bërë kërkesë që t’i shtyjnë përpara çështjet që janë me interes të përbashkët.
Tutje ajo deklaroi se kanë kërkuar ndihmë edhe në rrugën drejt anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, pasi Hungaria e ka kryesimin e presidencës së BE-së.
“Sigurisht kemi diskutuar edhe për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës dhe qëndrimet që deputetët që janë anëtar të Këshillit të Evropës nga Hungaria kanë mbajtur në këtë proces dhe ideja është të gjendet një gjuhë e përbashkët me ta dhe t’i bëjmë ata të kuptojnë sa e rëndësishme është të votohet pro anëtarësimit të Kosovës, sepse këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një çështje që ka të bëjë specifikisht me Kosovën, por është shumë e rëndësishme që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës edhe për faktin se kjo ndikon shumë edhe në rritjen e stabilitetit në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më pas edhe në vet BE-në”, ka thënë Kryeziu-Hyseni.
Më tej Kryeziu ka shtuar se kanë dërguar një ftesë tek homologu në Budapest për Politikë të Jashtme i Hungarisë të vizitojë Kosovën. /Gazeta Enigma