Ligji i ri për përcaktimin e rregullave të përdorimit të kriptovalutave në Kosovë, pritet të bëhet së shpejti, shkruan Gazeta “Enigma”.
Në lidhje me këtë, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ditë më parë ka marrë vendim për masat emergjente për t’u përballur me krizën e energjisë që tashmë e ka kapluar vendin.
Si rrjedhojë, këto masa përfshijnë edhe ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në gjithë territorin e Kosovës, pasi të njëjtat shpenzojnë shumë energji për prodhim.
Përmes një njoftimi në uebfaqen zyrtare të ministrisë, kjo e fundit ka njoftuar se të gjitha institucionet relevante obligohen të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave si dhe ta ndalojnë menjëherë aktivitetit në fjalë.
“Këto masa përfshijnë ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në të gjithë teritorin e Republikës së Kosovës, ku obligohen të gjitha insititucionet relevante të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave dhe të ndalojnë aktivitetin në fjalë”, thuhet tutje në njoftim.
“Duhet një sektor i veçantë për kriptovaluta”
Në një prononcim për Gazetën “Enigma”, njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu është deklaruar rreth këtyre parave elektronike, i cili vendimin e Qeverisë nuk e ka komentuar por se ka theksuar, që Qeveria e Kosovës duhet t’a ketë të kompletuar ligjin për Kripto-valuta si dhe ta ketë një sektor të veçantë për to.
“Tretmani sa i përket kriptovalutave duhet të jetë në fokus të Bankës Qendrore, por një BQK duhet t`a ketë vërtet të kompletuar bordin, të kompletuar ligjin dhe me siguri ky ligj në raport të jetë me parlamentin e Kosovës” potencon njohësi i ekonomisë.
Sipas Gërxhaliut, nëse bëhet analizë në aspektin rajonal dhe evropian, atëherë bëhet fjal për një trend të shfrytëzimit të mundësive për pasurin.
“Është një trend i shfrytëzimit të mundësive përmes këtyre kriptovalutave, por në Kosovë për fat të keq është më tepër në vullnetin e qytetarëve dhe të ekspertëve se sa i shtetit i institucioneve dhe të BQK-së”, ka thënë Gërxhaliu.
Ndërsa, ish-ministri i financave Haki Shatri në një deklaratë për Gazetën “Enigma”, ka potencuar se nuk e kemi ende të qartë rrjedhjen e punës së kriptovalutave në Kosovë, pasi që sipas tij, nuk dihet se sa janë hargjime e atyre që bëjnë prodhimin e tyre.
“Ne së pari nuk po e dim sa po hargjojnë këto grupe që mirren me prodhimin e këtyre parave elektronike. E dim që këto aparate hargjojnë relativisht shumë rrymë, por nuk e dim saktë dëmin që mund të shkaktohet. Komisioni që është duke u marr me këtë punë e kanë fut në listë të aktiviteteve edhe ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, besoj ata e kanë menduar një zgjidhje më të mirë”, është shprehur, ish-ministri Shatri.
“Kursimi i energjisë elektrike është i nevojshëm”
“Edhe ruajta e energjisë e ka arsyen e vet”, ka thënë Shatri, përderisa ka komentuar që të dëmtuar mund të dalin edhe ata që mirren me prodhimin e parave elektronike.
“Për ata që mirren me atë aktivitet patjetër që do t’i dëmtoj. Nuk e di sa është nr i tyre në Kosovë, por mendoj qe kjo ndalese do të jetë e përkohshme. Sidoqoftë, është e nevojshme të bëhet një kujdes edhe në shpenzimin e rrymës”, ka deklaruar ai.
“Qeveria të kthjellet “
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka kundërshtuar vendimin për mosprodhim të kriptovalutave
Ai ka vazhduar sërish me kritika të ashpra në drejtim të Qeverisë së Kosovës.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Tahiri ka thënë se vendimmarrja në Qeverinë e Kosovës është stihike, duke thënë se vendimi i fundit për kriptovalutat e bëri prapë lajm negativ Kosovën, sikurse problemi me energji elektrike javën e kaluar.
“Vendimmarrja në Qeverinë e Kosovës është stihike, pa vlerësime të sakta dhe e pa informuar, pra është ‘one man show’. Vendimi i fundit për kriptovalutat e bëri prap lajm negativ Kosovën, sikurse problemi me energji elektrike javën e kaluar në Reuters”, ka shkruar ai.
Ky vendim po konsiderohet absurd edhe nga njohësit e fushës.
Granit Kadolli e arsyeton kundërshtinë e tij me shembuj interesantë.
Sipas tij, një apo dy riga shpenzojnë më pak se 50 për qind të rrymës që përdoret për ngrohje në banesa.
“Më pak se 50 për qind të rrymës që përdoret për ngrohje në banesa. Aparati i kafesë harxhon më shumë energji sesa një makinë prodhimi e kriptovalutave”, ka cituar ai.
Mesatarja e shpenzimit të rrymës me një kartelë grafike, brenda muajit mund të shkojë deri në 40 euro.
Por, cfarë saktësisht kuptojmë me kriptovalutë?
Kriptovaluta është para digjitale, e decentralizuar, e bazuar në teknologjinë “blockchain” (shqip: blloqe zinxhir).
Versionet më të popullarizuara janë Bitcoin dhe Ethereum, por ekzistojnë mbi 5.000 kriptovaluta të ndryshme në qarkullim, sipas uebsajtit për monitorimin e tregut të kriptovalutave, CoinLore.
Si funksionon Kriptovaluta?
Kriptovaluta është mjet shkëmbimi, i cili është digjital, i koduar dhe i decentralizuar. Ndryshe nga euroja apo dollari amerikan, nuk ekziston një autoritet qendror që menaxhon dhe ruan vlerën e një kriptovalute. Këto detyra janë të shpërndara gjerësisht mes përdoruesve të një kriptovalute, nëpërmjet internetit. Bitcoin ishte kriptovaluta e parë, e propozuar nga Satoshi Nakamoto, në një dokument të vitit 2008, të titulluar “Bitcoin: Sistem elektronik, pa ndërmjetësues, i parasë së gatshme”.
Nakamoto e përshkroi projektin si “një sistem elektronik pagesash, i bazuar në dëshmi kriptografike, në vend të besimit”.
Kjo dëshmi kriptografike vjen në formë të transaksioneve, të cilat verifikohen dhe regjistrohen në formën e një programi, të quajtur “blockchain”.
Ndryshe, Ligji i ri nga Qeveria e Kosovës, do të përcaktojë rregullat e përdorimit të kriptovalutave, apo parave digjitale, brenda territorit të saj.
Përveç kategorizimit të kriptovalutave dhe të formave të taksimit, projektligji synon edhe të sigurojë pajtueshmëri të industrisë me ligjet vendëse dhe ato ndërkombëtare./Gazeta “Enigma”/