Kosovari në Zvicër nget veturën 130 km/h në vend të 60 sa lejohej: 14 muaj burg me kusht

Kosovari në Zvicër nget veturën 130 km/h në vend të 60 sa lejohej: 14 muaj burg me kusht

Kosovari afër 20 vjeç kishte  tejkaluar shumë shpejtësinë gjatë ngasjes së tij me makinë në Schlieren (ZH). Tani Gjykata e Qarkut e Dietikonit e ka dënuar atë me 14 muaj burg me kusht, shkruan gazeta Aargauer Zeitung.



Rasti ka ndodhur në prill të këtij viti. Policia e Kantonit kishte kryer një matje lazerike sipas të cilës, i riu kosovar nga rrethi i Dietikonit po e ngiste makinën 130 kilometra në orë gjegjësisht 70 km në orë më shpejt se sa lejohej (60 km / orë).

Me këto shifra, vepra penale e shkeljes së shpejtësisë ishte më shumë se e plotësuar.

Zyra e prokurorit publik pati ngritur akuzën për shkelje të rëndë të rregullave të trafikut – me shkelje masive të shpejtësisë së sinjalizuar maksimale  – si dhe për shkelje të rregullave të trafikut – duke shkaktuar përplasjen me makinën tjetër, nga ana e pasme.

14 muaj burg me kusht plus gjobë

Pasi nuk kishte çfarë të kundërshtohej në lidhje me akuzat, i akuzuari që kishte pranuar veprën kishte dhënë pëlqimin që procesi ndaj tij të zhvillohej me procedurë të shkurtuar. Po ashtu ai kishte pranuar propozimin e prokurorit.

Ky propozim përfshinte një dënim me kusht prej 14 muajsh dhe një gjobë prej 500 frangash, përcjell albinfo.ch.

Gjykata ka konstatuar se vendimi i propozuar nga prokuroria ishte i përshtatshëm, prandaj ka dhënë aktgjykimin. Dënimi me burg prej 14 muajsh është ndër dënimet më të ulëta për shkelje të shpejtësisë, ka thënë kryetari i gjykatës.

Related Articles