Minsitri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla të dielën njoftoi se 12 persona të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë u arrestuan në Gjakovë dhe Prizren, raporton Gazeta Enigma.
Sveçla përmes një postimi në Facebook tha se sipas të dhënave fillestare, dyshohet se këto grupe kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës.
“Grupi i parë, i përbërë nga katër persona, u ndalua në Gjakovë. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën: fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sopatë dhe një dritë rotative. Me vendim të prokurorit, personat janë ndaluar në kohëzgjatje 48 orëshe”.
“Grupi i dytë, me 12 persona, është ndaluar në Prizren, teksa po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë. Edhe në këtë grup ishin dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe”.
Ai bëri të ditur se njëri nga të arrestuarit është i afërt me të dyshuarin kryesor për vrasjen e rreshterit policor të Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Hetimet paraprake kanë konfirmuar se një zyrtar i policisë serbe me gradë të togerit policor, ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit terrorist të Banjskës, Nemanja Radivojevic, nofka “Gandi”. Ky i fundit është i afërt i Vladimir Radivojevic, nofka “Mami”, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e rreshterit policor të Kosovës, Afrim Bunjaku. Zyrtari tjetër ushtarak, i cili bartë gradën e kapitenit të klasit të parë, është lidhje e ish-gjeneralit të inteligjencës ushtarake serbe, Jovan Milanovic, i njohur për përfshirjen në rrjedhjen e të dhënave të NATO-s para bombardimeve mbi caqet serbe”.
“Fakti që u strehuan në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë mund të tregojë për një tentativë për të shfrytëzuar institucione fetare për kamuflim ose për të shkaktuar tensione ndëretnike/fetare në Kosovë, duke përdorur ngjarje të sajuara për të nxitur reagime të dhunshme ose trazira”.
“Organet e sigurisë do të vazhdojnë hetimet dhe do të informojnë opinionin publik për zhvillimet e mëtejshme. Ftojmë qytetarët që të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë dhe të bashkëpunojnë ngushtë me institucionet tona të sigurisë”, tha Sveçla.
E si pasoj e këtyre zhvillimeve, kryeministri Albin Kurti dje mblodhi Këshillin e Sigurisë, pas së cilës u përmend rasti i arrestimit të katër serbëve në Gjakovë.
“Kur kësaj i shtojmë edhe arrestimin e mbrëmshëm të katër ‘pelegrinëve’ serbë në Gjakovë – nga të cilët njëri ishte toger i policisë së Serbisë e tjetri kapiten i ushtrisë së Serbisë, dhe krejt çfarë u është konfiskuar atyre – kërkohet që të gjitha institucionet dhe mekanizmat e shtetit ta mbajnë lart vëmendjen dhe gatishmërinë”, u tha në komunikatë.
Kujtojmë se nga 12 serbët e arrestuar në Prizren, 10 prej tyre janë liruar, kurse dy janë ndaluar për prezantim të rremë si pjesëtarë të MUP-it.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, i cili ka bërë të ditur se rasti është zbuluar pas veprimeve operative-hetimore të ndërmarra nga sektori i hetimeve në Prizren.
Të arrestuarit janë: Branko Rakic me vendbanim në Mitrovicë te veriut, Nemanja Vamokiç toger i policisë me vendbanim në Novi Sad, Pavle Kragoviç, me vendbanim në Beograd, Millovan Steviq, kapiten dhe agjent i ushtrisë serbe me vendbanim në Mitrovicë të veriut.