Kriza politike “djeg” 2025-ën për Kosovën, paralajmërohet rrezik edhe për vitin 2026

Kriza politike “djeg” 2025-ën për Kosovën, paralajmërohet rrezik edhe për vitin 2026

Raporti i ri për Kosovën për vitin 2025 vlerëson se vendi vazhdon të mbetet i orientuar qartë drejt integrimit evropian, por paralajmëron se kriza politike gjatë vitit të kaluar ka ngadalësuar ndjeshëm reformat dhe përparimin në rrugën drejt Bashkimit Evropian, shkruan Gazeta “Enigma”.

Në draft-raportin e përgatitur nga raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, viti 2025 cilësohet si një “vit i humbur” për Kosovën. Sipas dokumentit të datës 6 mars 2026, bllokada politike dhe mosformimi i institucioneve pas zgjedhjeve të vitit 2025 penguan funksionimin normal të shtetit dhe ngadalësuan proceset reformuese në vend.

Në raport theksohet se stabiliteti politik dhe përshpejtimi i reformave mbeten kyçe për avancimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian.

10 gjetjet kryesore nga raporti për Kosovën:

Viti 2025 konsiderohet “vit i humbur” për Kosovën, për shkak të krizës politike, zgjedhjeve të shpeshta dhe vështirësive për formimin e institucioneve funksionale.

Për shkak të kësaj situate politike, Kosova nuk arriti progres të mjaftueshëm në reformat e kërkuara nga BE dhe pati ndikime edhe në përfitimin nga Plani i Rritjes së BE për Ballkanin Perëndimor.

Dialogu Kosovë–Serbi ka qenë pothuajse i bllokuar gjatë vitit 2025 dhe nuk ka prodhuar rezultatet e pritura për normalizimin e marrëdhënieve.

Raporti kërkon që Kosova dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese, veçanërisht Marrëveshjen e Brukselit dhe Marrëveshjen e Ohrit.

Reformat në sundimin e ligjit dhe sistemin gjyqësor mbeten sfidë dhe kërkohet përparim më i madh në këtë fushë.

Raporti thekson nevojën për forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, veçanërisht në nivelet e larta të qeverisjes.

Liria e mediave dhe pluralizmi mediatik kërkojnë përmirësim, ndërsa institucionet duhet të garantojnë mjedis të sigurt për gazetarët.

Administrata publike dhe efikasiteti institucional duhet të përmirësohen, përfshirë profesionalizmin dhe digjitalizimin e shërbimeve publike.

Raporti vëren se Kosova është objekt i ndërhyrjeve të huaja dhe fushatave të dezinformimit, veçanërisht nga Rusia dhe Kina, që synojnë destabilizimin e rajonit.

Megjithë sfidat, raporti pranon se Kosova ka bërë disa përparime në reforma zgjedhore, stabilitet ekonomik dhe mbrojtjen e të drejtave themelore, por kërkohet vazhdim i reformave për integrimin në BE.

2026-a, skenar i njëjtë?

Situata politike në Kosovë pas një “viti të humbur” rrezikon të përsëritet sërish. Me vendin që pret vendimin nga Gjykata Kushtetuese për hapat e ardhshëm institucionalë, rreziku për zgjedhje të reja mbetet ende në tavolinë.

Analisti i çështjeve politike, Arton Muhaxheri, tha për Gazetën “Enigma” se ekziston një rrezik real që edhe viti 2026 të ketë të njëjtin fat për skenën politike në vend.

“Nëse viti 2025 u cilësua si “vit i humbur” për Kosovën nga raportet e Parlamentit Evropian, ekziston një rrezik real që edhe viti 2026 të shkojë në të njëjtin drejtim nëse vazhdon kriza politike dhe vonohet formimi i institucioneve. Një vakuum institucional ose zgjedhje të reja do ta paralizonin vendimmarrjen, do ta ngadalësonin ritmin e reformave dhe do ta rrezikonin përfitimin e Kosovës nga Plani i Rritjes së BE për Ballkanin Perëndimor, i cili kërkon institucione funksionale dhe zbatim konkret të reformave. Në një situatë të tillë, vendi rrezikon jo vetëm të humbasë fonde dhe mundësi zhvillimi, por edhe të mbetet prapa në procesin e integrimit evropian”, u shpreh ai.

Tutje, Muhaxheri vlerëson se një bllokadë e brendshme politike do të rezultonte në stagnimin e dialogut me Serbinë, duke vështirësuar zbatimin e marrëveshjeve që kanë arritur dy vendet.

“Një bllokadë e brendshme politike do të ndikonte edhe në stagnimin e dialogut Kosovë–Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke vështirësuar zbatimin e marrëveshjeve si Marrëveshja e Brukselit dhe Marrëveshja e Ohrit. Në këtë kontekst, përgjegjësia kryesore bie mbi kryeministrin Albin Kurti, i cili me qasjen e tij konfrontuese dhe me kalkulimet politike po kontribuon në zvarritjen e proceseve dhe në thellimin e krizës institucionale. Nëse kjo situatë vazhdon edhe gjatë vitit 2026, mesazhi që i dërgohet partnerëve ndërkombëtarë është se Kosova po humb kohë të çmuar me kriza të brendshme në vend që të fokusohet në reforma, stabilitet dhe integrim evropian”, përfundoi ai.

“Zgjedhjet nuk janë zgjidhje”

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, e fajëson klasën politike nga dyja taborret për krizën e vazhdueshme në të cilën gjendet vendi.

“Jemi në një fazë tjetër, të përsëritur të një krize të cilën po e shkaktojnë eksponentë të caktuar të kësaj klase politike, dhe është po aq e rrezikshme po edhe e papranueshme. Pikërisht deklarata e komisionarit përkatës dëshmon se sa e rëndësishme është që në një periudhë, ku ne kemi më shumë se një vit e gjysmë që kemi bërë ankesë për anëtarësim në BE dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje, të paktën se dikush merret me kërkesën tonë.

Në këtë situatë, kur pikërisht nga misionet evropiane të rëndësisë së parë raportohet dhe deklarohet se ne kemi pasur vitin e kaluar një vit të humbur dhe po vazhdojmë njëjtë, tregon se sa shumë kemi humbur dhe sa e papërgjegjshme është kjo klasë politike, pozitë e opozitë”, tha ai.

Ai tha se edhe partia fituese e zgjedhjeve të 28 dhjetorit duhet të lëshojë pe në raport me postin e Presidentit.

“Ne jemi në krizë, prej një krize që po vazhdon nga viti i kaluar, pa hezituar dhe pa e vrarë mendjen fare se çfarë pasoja po shkaktojnë këta njerëz. Kjo është më shumë papërgjegjësi, të pengojnë funksionalizimin e institucioneve, për një çështje për të cilën vetëm ishte dashur të votohej, pa kalkulime politike. Por edhe fituesi i zgjedhjeve, kur nuk i ka votat, nuk ka qenë i zoti të sigurojë kuorum. Janë takuar me javë të tëra, duke thënë se ka atmosferë të mirë e marrëdhënie të mira, e në fakt kurrfarë rezultati. U dridh mali dhe doli një mi. Është e papranueshme edhe nga fituesi i zgjedhjeve por edhe nga opozita, e sidomos këta të fundit, të cilët e kanë të detyrueshme nga Gjykata Kushtetuese të marrin pjesë dhe të sigurojnë kuorum“, shtoi ai.

Ai tha se nëse dekreti i Presidentes Osmani del se ishte jashtë kornizave kushtetuese, atëherë duhet të vazhdojë seanca për zgjedhjen e presidentit deri në marrëveshje mes partive, sepse zgjedhjet nuk janë zgjidhje.

“Nëse edhe dekreti i Presidentes del se ishte jokushtetues, atëherë duhet të vazhdojë seanca e ndërprerë dhe të merren vesh partitë politike. Sidomos fituesi duhet të ulë kokën dhe të gjejë një zgjidhje për postin e Presidentit, sepse zgjedhjet as nuk janë zgjidhje”, përfundoi Baraliu. /Gazeta Enigma/

Related Articles