Kundërshtohet ashpër ngritja e çmimit të energjisë – ZRRE thotë se ende s’ka asgjë definitive

Kundërshtohet ashpër ngritja e çmimit të energjisë – ZRRE thotë se ende s’ka asgjë definitive

“Nga data 1 prill qytetarët pritet t’i marrin faturat e energjisë elektrike me tarifa me të larta”, kjo ende nuk është definitive sipar Zyrës së Rregullatorit për Energji, shkruan Gazeta “Enigma”.

“Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka zbatuar dispozitat ligjore të përcaktuara në Rregullën për Përcaktimin e të Hyrave të Lejuara Maksimale. Në përpjekje për të siguruar një proces transparent dhe të drejtë, ZRRE ka publikuar raportet për konsultim publik, të cilat pasqyrojnë në detaje analizat e kryera nga stafi profesioanl i ZRRE-së”, thuhet në përgjigjen e tyre për Gazetën “Enigma”.

Tutje nga ZRRE kanë theksuar se vendimi për tarifat e reja të energjisë do të merret në seancën përkatëse të Bordit .

“Ne ju informojmë se, pas përfundimit të procesit të konsultimit publik, Bordi i ZRRE-së do të shqyrtojë komentet dhe sugjerimet e paraqitura. Vendimi për tarifat e reja të energjisë do të merret në seancën përkatëse të Bordit të ZRRE-së”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Të pakënaqur nga ky vendim, pasi disa aksioneve simbolike, pritet që qytetarët të protestojnë para zyreve të ZRRE-së, duke nisur kështu edhe edhe një iniciativë në rrjetet sociale me moton “Asnjë cent më shumë”.

Më 5 prill protestohet kundër shtrenjtimit të rrymës

Luan Hasanaj, iniciues i kampanjës me moton “Asnjë cent më shumë”, ka bërë të ditur se të shtunën e 5 prillit do të protestohet kundër shtrenjtimit të rrymës.

Protesta kundër rritjes së çmimit të energjisë elektike do të zhvillohet në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë nga ora 15:00.

Bordi i AKK-së reagon mbi ngarkesat e reja financiare ndaj qytetarëve dhe bizneseve

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka deklaruar se rritja e çmimit të energjisë, rritja e tatimit në pronë dhe tatimi mbi tokën bujqësore, do të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve.

“Në kohën kur qytetarët dhe bizneset po përballen me sfida të shumta ekonomike, duke përfshirë edhe inflacionin, paralajmërimi për një tjetër shtrenjtim të energjisë elektrike paraqet një barrë shtesë për familjet kosovare si dhe për sektorin privat”, tha Ibrahimi.

Tutje ai ka theksuar se “ky vendim vjen pas rritjes së tatimit në pronë, pas ri-vlerësimit të pronës që është bërë nga Ministria e Financave Punës  dhe Transfereve, ka rënduar buxhetin e qytetarëve dhe bizneseve që ka ndikuar edhe në ekonominë lokale në Komunat e Kosovës”.

Ibrahimi ka shtuar se ky vendim i ZZRE-së ndikon drejtpërdrejtë në koston e jetesës dhe në zhvillimin ekonomik lokal.

“Kombinimi i këtyre tre faktorëve – rritja e çmimit të energjisë, rritja e tatimit në pronë dhe tatimi mbi tokën bujqësore, do të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve, duke rritur koston e jetesës dhe duke vështirësuar zhvillimin e bizneseve që ka impakt të drejtpërdrejtë edhe në zhvillimin ekonomik lokal”, deklaroi Ibrahimi për “Enigmën”.

“Kjo qasje e vazhdueshme e ngarkimit të qytetarëve me tatime të reja dhe tarifa të rritura në mënyrë periodike kërkon një koordinim ndërinstitucional por dhe qasje më të balancuar, me qëllim që të mos dëmtohet edhe më tutje stabiliteti ekonomik dhe të ruhet mirëqenia e përgjithshme ekonomike e vendit dhe vetë pushtetit lokal”, ka përfunduar ai.

Opozita e kritikon ashpër shtrenjtimin e rrymës

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, vlerëson se shtrenjtimi i rrymës mund të krijojë situatë të tillë që zinxhiri i ngritjeve të çmimeve vendore të jetë i pakontrolluar.

“Vendimi i fundit i ZRRE-së jep shtrenjtimin e energjisë prej 15 % për ekonomitë e përgjithshme familjare, ndërsa ka edhe pjesën e dytë të vendimit që liberalizon një pjesë të bizneseve të cilat kanë një shumë të caktuar të qarkullimit dhe numrit të punëtorëve që është mbi 50”, deklaroi Shala për Gazetën Enigma.

“Parimisht kjo ngritje e çmimit vjen në një kohë jo të mirë ekonomike për vendin dhe vështirëson tej mase ekonominë familjare dhe kryesisht prodhuesit vendor”, ka theksuar ai.

“Tashmë jemi në një situatë kur Qeveria nuk është përgatitur për tregun e lirë, për ngritjen e çmimit dhe brenda një afati qeverisës tri herë radhazi kjo është mungesë e politikave të qarta qeveritare, mungesë e ngritjes së kapaciteteve gjeneruese të energjisë dhe mungesë e një dëshire dhe planifikimit të mirëfilltë për sektorin në përgjithësi”, ka përfunduar Shala.

Edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka shprehur pakënaqësi për vendimin e fundit të ZRRE.

Në një përgjigje për Gazetën “Enigma”, Kadrijaj tha se Qeveria aktuale ka ardhur në pushtet me premtimin se çmimi i energjisëështë i shtrenjtë dhe se kjo do të bënte zbritje të çmimeve duke përfshirë edhe çmimin e bukës.

“Në këtë periudhë dhe në këtë krizë të rëndë ekonomike kjo qeverisje ka dhënë vendime të mdhaja dhe shyqyr që po shkon e ishalla s’po kthehet ma, ka ardhur në qeverisje me premtimin se çmimi i energjisë është i shtrenjtë dhe se kjo qeveri do t’i zbresë këto çmime, duke përfshirë edhe çmimet e tjera, ato të bukës dhe elementeve tjera që janë të përditshme në mënyrë që populli t’a ketë një mirëqenie më të mirë”, tha ajo.

Tutje ajo ka theksuar se përveç këtyre premtimeve kjo qeveri tri, katër herë ka rritur çmimin e energjisë elektrike.

“Ndërsa ne e kemi parë krejt të kundërtën , ku veç gjatë kësaj qeverisja e kemi parë që tri, katër herë ka pasur rritje të çmimit të energjisë elektrike, dhe normal që kjo shkon në kurriz të popullit, duke e ditur që ne kemi një numër të madh popullatës pensioniste dhe veteranëve që jetojnë me minimumin e pagave që ndoshta krahasimisht e kanë shumë të vështirë t’a përballojnë jetesën mujore me ato paga që i marrin, ndërsa tani kjo qeveri e papërgjegjshme normal që po synon që të rrisë prej 1 prillit prapë çmimin e energjisë elektrike gjë që nuk është në rregull”, ka përfunduar ajo. /Gazeta Enigma/

Related Articles