Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me mandatarin për krijimin e qeverisë së re në Mal të Zi, Dritan Abazoviqin.
Takimi i tyre ka ndodhur në Antali të Turqisë, aty ku të dy po marrin pjesë në Ditën e dytë të Forumit për Diplomaci.
Pamjet gjatë përshëndetjes së tyre, janë publikuar nga aktivisti i Vetëvendosjes në Ulqin, Bledar Nelaj.
Aty shihen Kurti dhe Abazoviq teksa bëjnë një bisedë të shkurtër.
“Ballkani Perëndimor ka nevojë për një imazh të ri”, ka thënë i nominuari për kryeministër të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, pas takimit që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të Forumit Diplomatik të Antalisë në Turqi.
“Po i forcojmë marrëdhëniet tona fqinjësore bazuar në respekt të ndërsjellë. E kaluara të lihet prapa dhe të krijohet e ardhmja në bazë të vlerave paqësore universale”, ka shkruar Abazoviqi në Twitter.
Ndërkaq, kryeministri Kurti ka publikuar fotografi nga disa takime. Ai ka thënë se ka ndarë me liderë të shumtë qëndrimin se “vetëm një botë demokratike e bashkuar dhe aktive mund ta ndalë Putinin dhe t’i parandalojë despotikët tjerë në të ardhmen”.
Takim me Abazoviqin të shtunën në Turqi ka pasur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Teksa e ka quajtur të mirë takimin, Osmani ka thënë se është diskutuar për rëndësinë e fuqizimit të raporteve fqinjësore dhe avancim të bashkëpunimit.