Kryeministri Albin Kurti është takuar me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në kuadër të Forumit Ekonomik të Delfit.
Kurti me Lajçakun foli për angazhimin në një vit qeverisje dhe rikonfirmoi që integrimet evropiane dhe euroatlantike nuk kanë alternative, derisa potencoi domosdoshmërinë e ndihmës së BE-së në këtë rrugëtim.
Në takim u bisedua për mbarëvajtjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces.
Kurti edhe një herë përsëriti se Qeveria e Kosovës është e angazhuar për dialog parimor e të balancuar, derisa tha se nga ky dialog duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme që në qendër ka njohjen reciproke.
U bisedua edhe për çështjen e targave të automjeteve midis Kosovës dhe Serbisë ku shefi i qeverisë kosovare veçoi faktin se jemi dy javë larg afatit për marrëveshje për këtë çështje, bazuar në standardet dhe praktikat aktuale më të mira të Bashkimit Evropian.
Temë e këtij takimi ishte edhe invazioni dhe agresioni i paprovokuar ushtarak rus në Ukrainë dhe ndikimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Evropë.