Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se ekipi menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe e ka përfunduar misionin dhe funksionin e tij.
Në një adresim për shtyp pas pjesëmarrjes në konferencën për Fondin Sovran të Kosovës, bashkëorganizim i Zyrës së Kryeministrit dhe Fondacionit “Friedrich Ebert Stiftung”, Kurti ka thënë se nuk ka më arsye të dëgjohet ky ekip, i cili ka dhënë propozimin e tij lidhur me draft-statutin e Asociacionit, më 2 maj në Bruksel.
Ai ka konsideruar se lirimi nga detyra e këtij ekipi, ka qenë vendimi më i drejtë që është marrë.
“Ekipi menaxhues e ka përfunduar edhe misionin edhe funksionon e vet, andaj ne nuk kemi më arsye ta dëgjojmë ekipin menaxhues që çka pati për të thënë e tha në Bruksel më 2 maj. Edhe lirimi nga detyra është gjëja më e natyrshme dhe më e logjikshme”, ka thënë ai.
Kurti më tej njoftoi se gjatë këtij muaji pritet të zhvillohet një tjetër takim me ndërmjetësit e dialogut.
“Hapat e radhës besoj se do të jetë një takim i yni me ndërmjetësit. Besoj se kjo do të ndodhë gjatë këtij muaji. Pas këtij takimi do të mund të shohim cilët do të jenë hapat tjerë përpara dhe këta hapa do të jenë vetëm për zbatimin dhe sekuencimin e zbatimit”, ka thënë ai.
Ai njoftoi se më 2 maj ka dhënë propozimin e tij, një vizion për atë se si do të duhej të rregullohet Neni 7 i marrëveshjes së arritur, ku flitet për nivelin adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb, mirëpo nuk ka marrë vlerësim nga ndërmjetësit.
“Ndërmjetësit nuk dhanë vlerësim për atë, mirëpo pala serbe nuk pranoi as ta marrë për lexim. Ne e kemi dëgjuar ekipin menaxhues, e kemi lexuar propozimin e tyre dhe e kemi dhënë mendimin tonë mospajtues, ndërsa për propozimin tonë nuk kemi përgjigje nga ndërmjetësit. Ky draftvizion që e kam prezantuar unë aty është i inspiruar nga modeli i Kroacisë për pakicat kombëtare, përkatësisht për pakicën serbe”.
“Marrëveshjen për modelin për mbrojtjen e pakicës serbe në Kroaci e ka pranuar edhe Serbia, prandaj ne kemi konsideruar që ky është vendi që ne do të mund të marrim frymëzimin tonë”.
“Nëse Serbia e ka pranuar këtë gjë me Kroacinë, konsiderojmë që do të duhet ta pranojë edhe me ne. Nuk jam i interesuar as t’i kontrolloj serbët, as t’ua shkelë të drejtat as atyre, as asnjë minoriteti e as një qytetari të republikës. Në veçanti për nenin 7 të marrëveshjes bazë kam ofruar një draftvizion që shpresoj se do të marr një vlerësim nga ndërmjetësit evropianë”, është shprehur ai.